ELBASAN-Një ngjarje e rëndë u regjistrua sot në Elbasan në ambientet e një lokali dhe në prani të shumë qytetarëve. Një person ende i paidentifikuar në praninë e qytetarëve të cilët ndodheshin në lokal dhe në mes të ditës, nxorri armën dhe tentoi të kryente vrasje.
Gjithçka ndodhi në pak sekonda ku autori sapo sheh të dalë nga loklai Mir Bitocin, e ndjek nga pas dhe i vë armën në kokë. E gjithë ngjarja ka ndodhur në lokalin ‘Art Cofee Bistro’ në hyrje të qytetit në lagjen 'Emin Matraxhiu'. Lokali është në pronësi te kompanisë "GE-OL" SHPK me pronar Olsi Palluqin. 'GE-OL SHPK' ka qenë një prej subjekteve të kontrolluara nga SPAK në kuadër të operacionit që goditi grupin e pastrimit të parave dhe trafikut të drogës me emra si Eldi Dizdari, Dritan Gjika apo Shpëtim Aliu.
Burime për ZËRI-n bëjnë me dije se lokali ‘Art Cofee Bistro’ është në pronësi të Drejtorit të Tatimeve në Elbasan, ndërsa bashkëshortja e tij rezulton drejtoreshë në Raiffeisen Bank.
Çfarë ndodhi në lokalin ‘Art Cofee Bistro’
Pamjet tregojnë se, jashtë ambientit të lokalit, autori (personi me bluzë të bardhë) i afrohet nga pas Bitocit dhe i vendos një armë zjarri pas koke. Bitoci reagon menjëherë duke i shtyrë dorën në cilën mbante armën autorit dhe largohet me vrap. Pas ngjarjes autori u largua, por arratisja i zgjati pak, pasi uniformat blu arritën ta arrestonin. Hetimet vijojnë për zbardhjen e rrethanave dhe motivit të ngjarjes./ZËRI