ELBASAN-Një ngjarje që për pak do kthehej në masakër ka ndodhur disa orë më parë në Elbasan. Në një lokal të populluar, një person që ende nuk është identifikuar nga Policia e Shtetit, teksa qëndron i shoqëruar në lokal, sapo sheh të dalë një shtetas tjetër, i identifikuar si Mir Bitoci, e ndjek nga pas dhe i vë armën në kokë.
Reagimi momental i Bitocit ka bërë që atentati të dështojë. Aktualisht grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e personit që mban armën dhe tenton të qëllojë. Por ajo që nuk dihet dhe mbetet mister është shkaku i kësaj ngjarjeje. Nëse kemi të bëjmë me diçka momentale apo të organizuar.
Mir Bitoci nuk jeton në Shqipëri, por jashtë dhe kthehet në Elbasan vetëm gjatë periudhës së verës. Nga ana tjetër, emri i tij ka mbetur i skalitur në qytet për bëmat e viteve ‘97-2000, por që atëherë u largua jashtë vendit dhe nuk rezulton me rekorde të reja.
