Aktualitet

SHBA miraton shitjen e raketave HIMARS për Shqipërinë, paketa kap vlerën e 210 milionë dollarëve

Në njoftim, theksohet se shitja e propozuar do të përmirësojë aftësinë e Shqipërisë për t'u përballur me kërcënimet aktuale dhe të ardhshme si dhe përmirëson ndjeshëm kontributin e saj në planet mbrojtëse të NATO-s.

zh.ll
SHBA miraton shitjen e raketave HIMARS për Shqipërinë, paketa kap
Departamenti Amerikan i Shtetit

TIRANË- Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme të sistemeve raketore HIMARS për Shqipërinë, në një paketë ushtarake me vlerë rreth 210 milionë dollarë. 

Sipas njoftimit zyrtar, Qeveria shqiptare ka kërkuar blerjen e dy sistemeve raketore M142 HIMARS, gjashtë sistemeve të raketave të drejtuara GMLRS M31A2 dhe gjashtë kapsulave me koka luftarake alternative M30A2. Gjithashtu, paketa përfshin edhe sisteme të komunikimit dhe navigimit, automjete ushtarake, pjesë këmbimi, pajisje mbështetëse, trajnim dhe asistencë teknike.

Në njoftim, theksohet se shitja e propozuar do të përmirësojë aftësinë e Shqipërisë për t'u përballur me kërcënimet aktuale dhe të ardhshme si dhe përmirëson ndjeshëm kontributin e saj në planet mbrojtëse të NATO-s.

"Shitja e propozuar do të përmirësojë aftësinë e Shqipërisë për t'u përballur me kërcënimet aktuale dhe të ardhshme duke ofruar një aftësi goditjeje precize me rreze të gjatë veprimi. Kjo aftësi do ta mbrojë Shqipërinë duke i mundësuar forcave të saj të pengojnë, neutralizojnë dhe shkatërrojnë kërcënimet kundërshtare, ndërkohë që përmirëson ndjeshëm kontributin e saj në planet mbrojtëse të NATO-s. Shqipëria nuk do të ketë vështirësi në përthithjen e këtyre artikujve dhe shërbimeve në forcat e saj të armatosura.", thuhet në njoftim. 

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, zbatimi i kësaj shitjeje të propozuar do të kërkojë caktimin e deri në 15 përfaqësuesve të Qeverisë Amerikane dhe 15 përfaqësuesve të kontraktorëve për të udhëtuar në Shqipëri afërsisht dy herë në vit për të mbështetur rishikimet e menaxhimit të programit, vendosjen në terren të pajisjeve dhe trajnimin. /ZËRI
 

MOS HUMB