TIRANË- Gjykara e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë nga "arrest me burg" në "arrest në shtëpi" për Enea Zyferin, i akuzuar për përkrahje të autorit të krimit në çështjen e rrëmbimit dhe vrasjes së Eglant Kocit. Enea Zyferi dyshohet se ka qenë dëshmitar i ngjarjes pasi punonte si kamarier në lokalin në pronësi të 41-vjeçarit, Armand Shakaj.
Nga hetimet e Prokurorisë, Zyferi dyshohet se ka ndihmuar Armando Shakajn për të zhdukur gjurmët e krimit pas ngjarjes së rëndë, ndërsa ky i fundit, vijon të jetë në kërkim nga autoritetet si organizatori i rrëmbimit dhe vrasjes së Eglant Kocit.
Si ndodhi ngjarja?
34-vjeçari Eglant Koçi u zhduk që prej mbrëmjes së 4 qershorit, teksa dyshohet se u mor peng dhe më pas u vra nga Armand Shakaj, 41 vjeç. Trupi i tij i pajetë u gjet disa ditë më vonë, në muajin qershor, ndërsa identifikimi u konfirmua përmes analizave të ADN-së.
ZËRI publikoi foton e ‘Porsche’ që dyshohet të jetë makina Armand Shakaj (Mand Dhelpra), të cilën e ka përdorur për të transportuar dhe më pas për të zhdukur trupin e 34-vjeçarit Eglant Koçi. Shakaj dyshohet se ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e tij, brenda të cilit mendohet se ndodhej edhe trupi i 34-vjeçarit, drejt zonës së Ibës.
Pamjet që shtojnë edhe më shumë dyshimet për hetuesit janë ato të datës 5 qershor, ora 23:30, ku Shakaj nxjerr në holl, duke e tërhequr zvarrë, një qese në formën e trupit të njeriut, që e largon më pas me automjet. Kufoma u gjet pas ditësh të gjata të kërkimeve, ndërsa ADN-ja vërtetoi se bëhej fjalë për Eglant Koçi.
Po ashtu, ZËRI publikoi më 6 qershor pamjet ku Eglant Koçi u pa për herë të fundit në zonën e “Sheshit Wilson”, teksa parkonte motorin pranë ambienteve të lokalit të Shakajt. Hetimet treguan se për të humbur gjurmët, autori ka zhvendosur motorin e viktimës nga vendi ku ishte parkuar fillimisht. Motori u gjet në rrugën “5 Maji” në Tiranë. Policia vijon kërkimet intensive për kapjen e autorit të dyshuar, Armand Shakaj./ZËRI