Aktualitet

"Hoqa syzet për respekt, më qëlloi me grusht"/ Cllevion rrëfen sherrin me Noizy-n: Lajmin për tritolin e mora vesh në burg

Sa i përket raportit me Noizy, ai ka thënë se e njeh përmes karrierës së tij artistike. Sipas tij, konflikti mes tyre ka nisur nga përplasjet në muzikë, ku të dy palët kanë shkëmbyer “diss-e” dhe ofendime përmes këngëve.

zh.ll
"Hoqa syzet për respekt, më qëlloi me grusht"/ Cllevion
cllevio-noizy

TIRANË- Në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) është zhvilluar seanca e radhës për procesin ndaj ish-kreut të bandës së Lushnjës, Laert Haxhiu. Në seancën e sotme ka dëshmuar Kleviol Ahmeti, reperi dhe personazhi i njohur në TikTok me emrin “Cllevio”, i cili ka rrëfyer detaje nga njohja me Haxhiun dhe konflikti me reperin Noizy.

Gjatë dëshmisë së tij, Ahmeti ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë lidhje me të pandehurin dhe se njohja me Laert Haxhiun ka qenë vetëm familjare dhe që nga fëmijëria, pasi kanë jetuar pranë njëri-tjetrit në Lushnjë. Ai ka shtuar se nuk e ka takuar më që prej vitit 2020.

Sa i përket raportit me Noizy, ai ka thënë se e njeh përmes karrierës së tij artistike. Sipas tij, konflikti mes tyre ka nisur nga përplasjet në muzikë, ku të dy palët kanë shkëmbyer “diss-e” dhe ofendime përmes këngëve.

Cllevio ka deklaruar se më pas është përpjekur t’i kërkojë falje Noizyt në Durrës, por sipas tij është përballur me një grup prej rreth 12 personash dhe është dhunuar. Ai shton se pas ngjarjes është mjekuar në spital, por më pas është arrestuar për shkak të një mase sigurie që kishte në fuqi.

Për shpërthimin me tritol në lokalin e Noizy, Ahmeti ka thënë se ka mësuar për ngjarjen nga persona të tjerë gjatë kohës që ndodhej në burg dhe ka mohuar çdo dijeni apo përfshirje, duke theksuar se nuk e di kush qëndron pas saj.

"Nuk kam asnjë lidhje me të pandehurit, as familjare, as miqësore. Me Laert Haxhiun kam njohje. Jetoj në Lushnje, Laerti është jo më larg se 150 m larg shtëpisë time. Jemi rritur bashkë, njihemi familjarisht. Në vitin 2007 kemi luajtur futboll. Kam qenë në Amerikë dhe kur kthehesha rrija në Lushnje. Kur e kam njohur Laertin ka qenë pa punë. Vitet e fundit unë s’e kam takuar hiç. Vij nga SHBA në 2013 dhe në 2014 bie në burg. Kam dalë në vitin 2020 nga burgu dhe nuk jam takuar më me të. Burgun e kam vuajtur në IEVP 313, 302, Fier dhe Durrës. As telefonatë dhe asnjë lloj kontakti nuk kam pasur me Laertin.

Me Rigels Rajkun e kam të njohur, njohuri artistike. Ai është muzikant i njohur dhe unë kam qenë muzikant i panjohur. Ky Rigels Rajku, për të marrë famë, shante Viktor Palokën, i njohur si Unikkatil. Ne, kur na shante Noizy, ishim në Amerikë. Pas 15-20 viteve ia kthej edhe unë me muzikë, duke sharë Noizyn. Unë jam shkrimtar, shkruaj tekste muzike. Kur dola në 2020 doja të bëhesha i famshëm dhe fillova të ngacmoja në mënyrë artistike, quhet diss. Dhe kur bëra këngën u bëra i famshëm dhe po më pëlqente.

Dhe një ditë të bukur i thashë vetes: boll me diss-e dhe shkova t’i kërkoja falje. Isha i shoqëruar atë ditë në Durrës. Kur shkova te lokali Zins në Currila, u parkova dhe u thashë të mos dilnin nga makina.

Kur vajta aty, doli Rigels Rajku, djali i Bashkimit, dhe 12 veta. Aty më rrahën, më shkelën kokën me këmbë. Pata mpiksje gjaku në kokë. Shkova në spital, u mjekova dhe u arrestova, sepse isha në arrest shtëpie dhe përfundova në burg.

Unë e kisha njoftuar që po i shkoja te lokali dhe kisha hapur Instagramin live dhe thoja që po shkoja në Durrës te Noizy. Kur hyra te lokali ishte një roje. I thashë: ma thirr Noizyn. Ai erdhi për 24 sekonda dhe erdhi bashkë me bandën e tij OTR. Nuk i njoh kush ishin ata që shoqëronin Noizyn. Kur erdhi Noizy, unë hoqa syzet për ta respektuar dhe në atë moment më qëlloi me grusht dhe më qëlluan 6-8 veta.

U përfshinë në sherr dhe dy shokët e mi, njërit prej të cilëve iu thyen dhëmbët.

Unë kam pasur dëmtime në kokë dhe brinjë. Për këtë ngjarje kam dhënë deklaratë kur kam qenë në IEVP Fier. Nënën e kisha në Shqipëri, të tjerët ishin në Amerikë. Është dokumentuar me pamje filmike dhe më qëllojnë.

Nuk mendova të hakmerresha ndaj Noizyt. Lajmin për shpërthimin me tritol të lokalit të Noizyt e dëgjova nga shokët e burgut. Kur shkova në sektor, e mora vesh që kishte ndodhur shpërthimi pas disa ditësh. Pastaj më thërret një oficer policie në Durrës dhe më thotë se ka një hetim për shpërthimin me tritol.

Unë i thashë se nuk e di kush ia ka vendosur tritolin, se isha në burg. E mendova me vete kush mund ta kishte bërë, e mendova se mund ta kishte bërë BABA. Nuk më ka ardhur asnjë llaf që Laerti ta ketë bërë këtë gjë. Marjus Tahanin nuk e njoh fare. Nuk pajtohemi me Rigelsin.", mësohet se është shprehur Cllevio. 

Cllevio është paraqitur edhe më parë si dëshmitar në lidhje me vendosjen e tritolit në dyqanin e reperit Noizy në Durrës. Në seancën e 3 qershorit, ishte Noizy ai i cili dëshmoi në gjyq dhe hodhi akuza të reja ndaj Kleviol Ahmetit.

Lidhur me këtë ngjarje ka hedhur dritë i penduari i drejtësisë Artan Tafani, ish-pjesë e bandës së Laert Haxhiut.

Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në qershor të vitit 2022, ku biznesit të reperit iu vendos lëndë plasëse. Nga hetimet rezultoi se tritoli ishte vendosur me urdhër të Laert Haxhiut, pas sherrit që Noizy kishte pasur me Kleviol Ahmetin.

"Në datë 08.06.2022, në dyqanin e shtetasit Bashkim Rajku, në qytetin e Durrësit, me autorë të dyshuar: - Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnjë; - Artan (Marjus) Tafani, 39 vjeç, lindur në Lushnjë; - Lulzim Spahija (Arapi), 28 vjeç, lindur në Lushnjë; - Erisiano Abedini, 32 vjeç, banues në Tepelenë.", njoftonte policisë asokohe pas ngjarjes. /ZËRI

Poll

MOS HUMB