KRUJË-Një operacion kundër kultivimit të kanabisit është zhvilluar në zonat malore të Krujës, ku deri më tani janë zbuluar dhe asgjësuar rreth 5 mijë rrënjë kanabis. Lënda narkotike ishte kultivuar në afro 100 parcela të shpërndara në zona të vështira për t’u aksesuar. Sipas burimeve policore, parcelat ishin organizuar në sipërfaqe të vogla, me nga 50 deri në 100 rrënjë secila.
Deri në këtë fazë nuk raportohet për persona të arrestuar, por policia ka identifikuar disa individë që dyshohet se posedonin dhe administronin parcelat e kanabisit, të cilët janë shpallur në kërkim.
Në operacion janë angazhuar 15 grupe efektivësh, që po kontrollojnë zona të ndryshme malore, ndërsa aksioni pritet të vijojë edhe në ditët e ardhshme./ZËRI