TIRANË-Prokuroria e Tiranës ka zgjeruar hetimin për skandalin e videove intime, ku në qendër është kompozitori Adrian Hila dhe dhjetëra artiste e këngëtare. Pas hedhjes së shortit, dosja do të ndiqet nga prokurori Julian Xhengo.
Hetimit i është shtuar tashmë edhe një tjetër vepër penale, ajo e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kjo lidhet me një veprim të kryer gjatë fazës së hetimeve paraprake, pasi policia ka tentuar të këqyrë një hard-disk të sekuestruar në kuadër të çështjes.
Sipas informacionit të bërë publik, pas sekuestrimit autoritetet kanë konstatuar se pajisja ishte dëmtuar. Për këtë rrethanë, Hila ka deklaruar se hard-diskun e kishte shkatërruar vetë, shkruan gazetarja Anila Hoxha. Mësohet se në lidhje me çështjen në fjalë janë bërë disa kallëzime në polici, një prej tyre është bërë nga vetë kompozitori me pretendimin se i janë hakeruar kamerat e sigurisë.
Kompozitori ka deklaruar se nuk ishte i sigurt për burimin e ndërhyrjes në sistem dhe kishte frikë se persona të tjerë mund të ndërhynin sërish dhe të merrnin të dhëna në distancë.
Nga ana tjetër edhe këngëtarja Eli Fara, me pretendimin për shkelje të privatësisë. Ndërsa dje aktorja Monika Lubonja publikoi gjithashtu denoncimin e bërë ndaj Hilës, të cilën e akuzon për dy vepra penale, që janë fyerja, dhe ndërhyrja e padrejtë në jetën private. Hetimi do të vijojë nga Prokuroria e Tiranës për të përcaktuar rrethanat e plota të çështjes, ndërsa prokurori Julian Xhengo do të ndjekë procedurat hetimore pas shortit të hedhur për dosjen.