
DURRËS-Detaje të reja janë zbardhur pas karantiminit të kompanisë “Rea’s”, e cila ndodhet në Rrashbull të Durrësit, ku shpendët e fermës u prekën nga gripi. Një grup pune nga Ministria e Bujqësisë dhe AKU ka bërë verifikimet në treg nëse ka vezë Rea's të dala me datë 3 mars, por nuk është konstatuar të ketë.
Rreth 70 mijë pula janë raportuar të ngordhura dhe janë eliminuar për të penguar përhapjen e gripit në kapanonet e tjera. Pritet procesi i asgjësimit. Në rast groposje duhet të merret leje fillimisht nga bashkia Durrës dhe nga autoritetet mjedisore. Po ashtu janë bllokuar dhe 250 mijë vezë të këtij kapanoni dhe AKU do të merret me asgjësimin e tyre.
Dy ditë më parë (4 mars) Ministria e Bujqësisë tha se janë marrë masa të menjëhershme për rastin, dhe ferma është vënë në karantinë. Pas konfirmimit të rastit, është ndaluar importi i shpendëve të gjalla nga disa shtete si Çekia, Polonia, Belgjika, Bullgaria, Gjermania, Hungaria, Moldavia, Italia dhe Bosnje-Hercegovina.
Gripi i shpendëve, është një infeksion viral që mund të infektojë jo vetëm zogjtë, por edhe njerëzit dhe kafshët e tjera. Shumica e formave të virusit janë të kufizuara te zogjtë. H5N1 është forma më e zakonshme e gripit të shpendëve. Është vdekjeprurëse për zogjtë dhe mund të prekë lehtësisht njerëzit dhe kafshët e tjera që vihen në kontakt me të./ZËRI