Aktualitet

Gripi i shpendëve/ Ministria e Bujqësisë: Vihet në karantinë ferma “Rea’s”, ndalohet importi nga disa shtete

Nga Ministria raportohet se është dhënë urdhër që të asgjesohen pulat dhe vezët e prodhuara prej tyre, por ende nuk ka një numër konkret. 

I.F
Gripi i shpendëve/ Ministria e Bujqësisë: Vihet në
Foto ilustruese

DURRËS- Ministria e Bujqësisë ka konfirmuar rastin e gripit të shpendëve në fermën e kompanisë “Rea’s”, e cila ndodhet në Rrashbull të Durrësit. Instuticioni bën me dije se ferma e vezëve në fshatin Maliq Muҫo, është vendosur në karantinë. Përmes një deklarate zyrtare, Ministria e Bujqësisë njofton se është ngritur qendra e krizës për të menaxhuar situatën e gripit të shpendëve. Nga Ministria raportohet se është dhënë urdhër që të asgjesohen pulat dhe vezët e prodhuara prej tyre, por ende nuk ka një numër konkret. Pas konfirmimit të rastit, është ndaluar importi i shpendëve të gjalla nga disa shtete si Çekia, Polonia, Belgjika, Bullgaria, Gjermania, Hungaria, Moldavia, Italia dhe Bosnje-Hercegovina.

AKVMB ka njoftuar gjithashtu 68-subjektet e mbarështimit të shpendëve, të cilët duhet të marrin masa për biosigurinë në stablimentet e tyre, si dhe ka njoftuar shërbimin veterinar rajonal në rang vendi, për rritjen e vigjilencës dhe monitorimin e situatës. Po ashtu, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka njoftuar edhe 68-subjekte të tjera të mbarështimit të shpendëve që të marrin masa dhe të kontrollojnë hap pas hapi situatën.

Njoftimi i plotë i Ministrisë:

“Në kuadër të transparencës për publikun informojmë se në datën 3.3.2025 është konfirmuar me anë të testit RT-PCR sëmundja e Influencës Aviare, tipi H5N1, në vendin tonë. Strukturat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe institucionet përkatëse të varësisë kanë marrë masat në mënyrë të menjëhershme, pas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve Tiranë, se në Qarkun Durrës, në subjekti “Rea’s” shpk, me vendodhje në fshati Maliq Muҫo, Njësia Administrative Rashbull, ka patur ngordhje shpendësh.

Është ngritur qendra e krizës në Ministrinë e Bujqësisë për menaxhimin e situatës së gripit të shpendëve Pulat dhe vezët do të asgjësohen por ende nuk ka të dhëna për numrin e pulave të ngordhura dhe për numrin e vezëve që do të asgjësohen. Pas konfirmimit, është mbajtur në MBZHR, është thirrur takimi i Qendrës Kombëtare të Krizës dhe ka hyrë menjëherë në fuqi Urdhri i Ministrit Nr. 200, datë 3.3.2025 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së Infuencës aviare ne shpendë, në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve e gjalla”. Lidhur me rastin, informojmë publikun se strukturat qëndrore dhe rajonale ka vendosur fermën në karantinë, ku janë marrë mostra zyrtare dhe janë dërguar brenda ditës, për analizim në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka njoftuar më herët në faqen zyrtare për konstatimin dhe ndjekjen e gjithë protokolleve veterinare për marrjen e masave në kohë. AKVMB ka njoftuar gjithashtu 68-subjektet e mbarështimit të shpendëve, të cilët duhet të marrin masa për biosigurinë në stablimentet e tyre, si dhe ka njoftuar shërbimin veterinar rajonal në rang vendi, për rritjen e vigjilencës dhe monitorimin e situatës. Ndërkohë po ashtu Ministria e Bujqësisë ka njoftuar ndalimin e importit të shpendëve të gjalla, zogjve, shpendëve dekorativ, të vezëve, të mishit dhe nënprodukteve të tjera me disa shtete, si me Çekinë, Poloninë, Belgjikën, Bullgarinë, Gjermaninë, Hungarinë, Moldavinë, Italinë dhe Bosnje-Hercegovinë. Të gjitha këto shtete janë të prekura nga influenca aviare me patogjen të lartë të shpendëve.

Aktualisht të pranishëm në terren janë strukturat veterinare Rajonale, të Drejtorisë së Përgjithshme të AKVMB dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural fton fermerët dhe qytetarët të rrisin vigjilencën dhe të bashkëpunojnë me autoritetet me qëllim jo vetëm raportimin në kohë të cdo dyshimi nëpërmjet komunikimit të shpejtë në numrin e gjelbër 08003366, por dhe zbatimin rigoroz të masave të biosigurisë, kufizimin e ekspozimit të shpendëve të tyre në mjedise të hapura, për të ulur nivelin e riskut të kontaktit me shpendët bartës të virusit”, njofton Ministria e Bujqësisë.

Gripi i shpendëve, është një infeksion viral që mund të infektojë jo vetëm zogjtë, por edhe njerëzit dhe kafshët e tjera. Shumica e formave të virusit janë të kufizuara te zogjtë. H5N1 është forma më e zakonshme e gripit të shpendëve. Është vdekjeprurëse për zogjtë dhe mund të prekë lehtësisht njerëzit dhe kafshët e tjera që vihen në kontakt me të./ZËRI

Poll

MOS HUMB