Aktualitet

Grabiti kasafortën me 600 mijë lekë në një dyqan në Kavajë, arrestohet 46-vjeçari, në kërkim bashkëpunëtori

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 10 tetorit, në një dyqan rrobash në lagjen nr. 3 të qytetit, ndërsa rasti është denoncuar nga vetë menaxherja e biznesit.

zh.ll
Grabiti kasafortën me 600 mijë lekë në një dyqan
pamje nga arrestimi-kasaforta

KAVAJË- Një 46-vjeçar është arrestuar në Kavajë, pasi dyshohet se në bashkëpunim me një 30-vjeçar, kanë vjedhur një kasafortë me rreth 600 mijë lekë dhe 6 aparate celularë në një biznes. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 10 tetorit, në një dyqan rrobash në lagjen nr. 3 të qytetit, ndërsa rasti është denoncuar nga vetë menaxherja e biznesit.

Sipas njoftimit të policisë, në banesën e 46-vjeçarit u gjet dhe u sekuestrua kasaforta e vjedhur së bashku me një sasi vlere monetare. Ndërkohë, bashkëpunëtori i tij është shpallur në kërkim.

Njoftimi i Policisë:

Kavajë/Vodhi kasafortën me rreth 600 000 lekë në një dyqan rrobash, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori.

Shpallet në kërkim bashkëpunëtori. Sekuestrohet kasaforta e vjedhur, me një sasi vlere monetare brenda saj.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe kapjen e autorëve, pas njoftimit të marrë më datë 08.10.2026 nga menaxherja e një dyqani rrobash në lagjen nr. 3, Kavajë, se gjatë natës i kishin vjedhur kasafortën me rreth 600 000 lekë dhe 6 aparate celulare, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale, u identifikuan autorët e dyshuar të vjedhjes.

Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë kapën dhe vunë në pranga shtetasin M. L., 46 vjeç, banues në Kavajë.

Gjatë kontrollit të banesës së tij, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale kasaforta e vjedhur, së bashku me një sasi vlere monetare.

Gjithashtu, u identifikua bashkëpunëtori i dyshuar, shtetasi A. S., 30 vjeç, banues në Kavajë, i cili u shpall në kërkim. Vijon puna për kapjen e tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprën penale “Vjedhja”.

Poll

MOS HUMB