
TIRANË-Një 42-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është ekstraduar në vendin tonë nga Zimbabve. Loran Dusha, administrator i inceneratorit të Fierit, kërkohej me urdhër të Gjykatës së Posaçme prej vitit 2022 me masën “arrest me burg” për korrupsion aktiv dhe pastrim i produkteve të veprës penale.
Hetimet zbuluan se Dusha, në rolin e administratorit, kishte përfituar në mënyrë të paligjshme fonde publike përmes faturave dhe pagesave fiktive për shërbime dhe punë të pakryera. Pas arrestimit dhe ekstradimit në Shqipëri, Dusha iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Njoftimi i policisë:
Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Harare, u bë e mundur lokalizimi, kapja dhe ekstradimi nga Zimbabve, shtet në Afrikën Jugore, i shtetasit shqiptar L. D., 42 vjeç, lindur në Lushnjë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në vitin 2022, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të kryera në bashkëpunim.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi L. D., në cilësinë e administratorit të një kompanie private, ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme, përmes faturave dhe pagesave fiktive, për punë dhe shërbime të pakryera.
Pas mbërritjes në Shqipëri, 42-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Policia e Shtetit është maksimalisht e angazhuar në bashkëpunimin ndërkombëtar për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve shqiptarë që fshihen jashtë vendit, me qëllim shmangien nga drejtësia./ZËRI