
TIRANË- Një nga personat më të kërkuar për krime të rënda është ndaluar nga Policia e Elbasanit, pas një urdhri të lëshuar nga Prokuroria më 13 qershor 2025. Bëhet fjalë për Astrit Sinanaj, 49 vjeç, cili tentoi të vrasë biznesmenin Fuad Verzivollin më 6 maj 2017 duke i vendosur poshtë makinës 1 kg tritol C4.
49-vjeçari është dënuar me 22 vite burg, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 13 vite. Sinanaj akuzohet për veprat penale "Vrasja me dashje kryer në mënyrë shumë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Më 24 prill të vitit 2023 Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm la në fuqi vendimin e Gjykatës së Elbasanit, që shpalli fajtor dhe dënoi me burg dy të pandehurit, Astrit Sinanaj dhe Thanas Thoma, që tentuan të vrisnin 6 vite më parë biznesmenin Fuad Verzivollin, duke i vendosur tritol në makinë. Për këtë ngjarje u mor në pyetje dhe Astrit Sinanaj, i cili ka pohuar se nuk kishte njohje me biznesmenin Fuad Verzivolli, dhe se ishte rastësisht në vendin e ngjarjes.
Në datën 6 maj të vitit 2017, Astrit Sinanaj i vendosi 1 kg tritol të llojit C4, poshtë makinës së biznesmenit Fuad Verzivolli. Lënda plasëse u konstatua nga një person në zonë, i cili telefonoi kushëririn e tij që punonte në polici. 49-vjeçari ishte identifikuar nga këqyrja e 13 kamerave të sigurisë në qytetin e Elbasanit, mbasi një sasi prej 1022 gramë C4 u zbulua majin e 2017-ës në automjetin e Fuat Verzivollit. Ky i fundit, gjatë gjykimit tha se nuk kishte patur asnjëherë përplasje me të dyshuarin, por se ishte përdorur si karrem gjatë përplasjes së bandave në Elbasan.
“Do ikja të shikoja ndeshjen te tregu ushqimor dhe ata donin t’i bënin dëm atyre, jo mua. Qëllimi nuk ka qenë të më dëmtonin mua, por të më përdornin si postë. Nuk isha shënjestra unë, isha postieri, pasi vetëm unë shkoja atje te tregu, takoja Sokol Sanxhaktarin, Suel Çelën dhe ca të tjerë”,– rrëfeu shënjestra.
Megjithatë, Sinanaj nuk u dorëzua dhe disa ditë më vonë organizoi një tjetër atentat. Këtë herë vendosi një sasi tritoli në derën e lokalit të biznesmenit Fuad Verzivolli në Elbasan. Edhe këtë herë, shënjestra nuk u prek.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Specialistët për Hetimin e Krimeve Kundër Personit ekzekutuan urdhrin e Prokurorit, datë 13.06.2025, për ndalimin e shtetasit Astrit Sinanaj, 49 vjeç, banues në Tiranë. Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila e ka dënuar këtë shtetas me 22 vjet burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 13 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje kryer në mënyrë shumë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Personi tjetër i pandehur në këtë çështje për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”, Thanas Thoma, një ish-punonjës kazinoje në Elbasan, është dënuar me 10 muaj burgim. Thoma kishte dijeni se Sinanaj kishte tentuar të vriste me tritol biznesmenin Fuad Verzivollin, atentat që sipas të dënuarit ishte financuar nga Florenc Çapja. /ZËRI