Aktualitet

Abuzimet me tenderët e AKSHI-t, arrestohet në Francë Ermal Beqiraj

Ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë arrest me burg me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, ndërsa pritet që të ekstradohet në Shqipëri.

M.K.
Abuzimet me tenderët e AKSHI-t, arrestohet në Francë Ermal
Ermal Beqiraj

TIRANË- Është arrestuar sot në Francë bisnesmeni Ermal Beqiraj, i cili ishte i shpallur në kërkim nga SPAKU-u për dosjen e AKSHI-t. Ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë arrest me burg me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, ndërsa pritet që të ekstradohet në Shqipëri.

Ermal Beqiraj zotëron kompaninë ''Soft & Solution'' dhe akuzohet se përfitoi tenderin mbi 1.1 milion euro pas kërcënimeve që krahu i djathtë i Ergys Agasit, i bëri një shoqëri të përfshirë në një nga garat e shumta.

Prokuroria e Posaçme ka vijuar hetimet për procedurat e tenderave të AKSHI-t, ndërsa ka kërkuar masa sigurie për disa zyrtarë dhe biznesmenë të dyshuar për përfshirje në shkelje të rënda ligjore.

Sipas informacioneve, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë arrest shtëpi për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ndërsa për Ergys Agasin dhe biznesmenin Ermal Beqiraj është vendosur masa arrest me burg.

Kontrollet janë zhvilluar nga agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të shoqëruar nga forcat e Policisë së Shtetit, në disa ambiente në pronësi të Ergys Agasit në Tiranë dhe Durrës, përfshirë banesa dhe ambiente biznesi.

Ndërkohë, SPAK ka kërkuar edhe pezullimin nga detyra të zëvendësdrejtorit të Policisë së Tiranës, Erion Ismaili.

Në total, masa sigurie janë vendosur për 8 persona, mes tyre Ergys Agasi, Ermal Beqiraj, Mirlinda Karçanaj, Hava Delibashi, Erion Ismaili, Andis Papa, G.H dhe Rogers Rryta.

Hetimi i SPAK lidhet me procedurat e 12 tenderave të AKSHI-t, për të cilat dyshohet se janë zhvilluar në kundërshtim me ligjin. Personat nën hetim akuzohen për vepra penale si grup i strukturuar kriminal, shkelje e barazisë në tendera, korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.

Hetimet për këtë çështje kanë vijuar prej rreth një viti, ndërsa pritet që Prokuroria e Posaçme të japë më shumë detaje mbi rezultatet e hetimit dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.

Artikulli i Le Journal du Dimanche

Një shtetas shqiptar u ndalua pasi fluturoi mbi një central bërthamor në Normandi të Francës në një lartësi më të ulët se kufiri i lejuar. Profili i tij ka ngjallur dyshime te hetuesit, të cilët nuk e përjashtojnë pistën e spiunazhit. Pas verifikimeve të lajmit nga media franceze, Alfaperss.al, mësoi se bëhet fjalë për një nga emrat më të kërkuar nga SPAK për çështjen AKSHI, Ermal Beqiraj.

Profili i të ndaluarit i ka habitur hetuesit. Sipas informacioneve tona, të shtunën pasdite një avion i vogël civil fluturoi në mënyrë të pazakontë mbi centralin bërthamor të Penly, në departamentin Seine-Maritime.

Ndërsa fluturonte në një lartësi prej 3.700 këmbësh (rreth 1.200 metra), piloti papritur uli avionin në 3.500 këmbë, pra nën kufirin ligjor të lejuar për fluturimin mbi një zonë të ndjeshme.

Pasi u njoftua menjëherë, Forcat Ajrore dhe Hapësinore Franceze dërguan një mjet ajror për ta shoqëruar avionin deri në aeroportin e Albert, në departamentin Somme. Atje, piloti pritej nga policia, e cila e arrestoi menjëherë dhe e vendosi në ndalim policor.

Profili i të dyshuarit, i marrë në pyetje nga hetuesit, ngre shumë pikëpyetje. Ermal B., shtetas shqiptar, është tashmë i njohur për drejtësinë franceze dhe atë shqiptare për mashtrim financiar, mashtrim në grup të organizuar, si dhe për aktivitete të ndryshme të paligjshme të lidhura me piraterinë kompjuterike. Përveç kësaj, ndaj tij ekziston edhe një urdhër kërkimi i lëshuar nga autoritetet shqiptare.

Një fakt i pazakontë ishte se gjatë kontrollit fizik, forcat e rendit gjetën tre pajisje AirTag të fshehura në rrobat e tij.

Këto pajisje të vogla GPS, të prodhuara nga Apple, përdoren për të lokalizuar dhe gjurmuar objektet ose personat që i mbajnë me vete. Sipas informacioneve tona, ky detaj i ka orientuar hetuesit drejt një piste tjetër: piloti mund të ketë vepruar nën detyrimin ose kontrollin e një porositësi.

Përgjigjet e Ermal B. gjatë marrjes në pyetje u konsideruan të paqarta. Sipas burimeve tona, ai deklaroi se kishte gabuar lartësinë e fluturimit dhe u tha hetuesve se ishte duke folur në telefon me nënën e tij në momentin kur kaloi mbi centralin bërthamor.

Gjithçka në versionin e tij ka ngritur dyshime, përfshirë edhe planin e fluturimit. Ai ishte nisur nga qyteti i vogël Albert, kishte fluturuar drejt Calais, më pas kishte kaluar mbi Bretanjë, për të përfunduar duke kaluar mbi centralin bërthamor të Penly.

Centralet bërthamore në shënjestër të huajve

Sipas informacioneve tona, shtetasi shqiptar u dënua me procedurë të përshpejtuar me 7.000 euro gjobë për fluturim të ndaluar. Më pas ai iu dorëzua Zyrës Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO). Pas kësaj pritet të ekstradohet në Shqipëri.

Përveçse është një central bërthamor me rëndësi të madhe, Penly është edhe vendi ku po ndërtohen reaktorët e rinj bërthamorë EPR-2, një projekt që ndiqet me interes nga e gjithë bota.

Në vitin 2014, disa centrale bërthamore franceze ishin fluturuar nga dronë. Edhe muajt e fundit, disa dronë të paidentifikuar kanë kaluar mbi objekte të ndjeshme ose ushtarake. Bëhet fjalë për një seri fluturimesh të organizuara me kujdes, të cilat autoritetet franceze ende nuk ia kanë atribuar zyrtarisht ndonjë shteti të huaj./ZËRI

Poll

MOS HUMB