Aktualitet

KQZ kërkon forcim të Kodit Zgjedhor/ Celibashi paraqet 5 propozime kundër keqpërdorimit të burimeve shtetërore në zgjedhje

Nisur nga rekomandimet e raportit të fundit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare, Celibashi kërkoi ndryshime në Kodin Zgjedhor për të forcuar ndarjen mes shtetit dhe partisë në pushtet.

l.k
KQZ kërkon forcim të Kodit Zgjedhor/ Celibashi paraqet 5 propozime
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

TIRANË- Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore zhvilloi sot një takim publik, ku i pranishëm ishte edhe kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Në tryezën teknike u diskutua për parandalimin dhe reagimin ndaj keqpërdorimit të burimeve administrative gjatë proceseve zgjedhore. Nisur nga rekomandimet e raportit të fundit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare, Celibashi kërkoi ndryshime në Kodin Zgjedhor për të forcuar ndarjen mes shtetit dhe partisë në pushtet.

Kreu i KQZ-së paraqiti 5 propozime kryesore:

1.Përkufizim i qartë i burimeve administrative dhe shtetërore. Kodi Zgjedhor duhet të përcaktojë qartë se çfarë përfshihet te burimet publike, si fondet shtetërore, asetet, automjetet, administrata, sistemet elektronike, databazat, faqet zyrtare dhe platformat institucionale online.

2. Vendosja e parimit të neutralitetit institucional dhe ndarjes mes shtetit dhe partisë në pushtet. Të sanksionohet në ligj që institucionet publike duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme dhe të mos përdoren për interesa elektorale.


3. Përcaktimi i kufirit mes aktivitetit institucional dhe aktivitetit me efekt elektoral. Të vendosen rregulla më të qarta për kufizimin e inaugurimeve, promovimeve të investimeve publike, projekteve të reja, subvencioneve dhe aktiviteteve të tjera që mund të krijojnë avantazh politik gjatë zgjedhjeve.


4.Rregullimi i komunikimit institucional dhe promovimit të institucioneve publike. Të kontrollohet përdorimi i faqeve zyrtare, rrjeteve sociale, materialeve audiovizive dhe komunikimit digjital, për të shmangur kthimin e tyre në mjete elektorale.

5. Forcimi i bazës ligjore për kontrollin e burimeve administrative. Rregullat që sot parashikohen në vendime të KQZ-së duhet të përfshihen drejtpërdrejt në Kodin Zgjedhor, për të rritur sigurinë juridike dhe për të shmangur interpretime të ndryshme.

“Mendoj se janë të paktën 5 boshllëqe të rëndësishme të cilat duhen adresuar në reformën e ardhshme zgjedhore. Së pari, Kodi Zgjedhor nuk përmban një përkufizim të plotë të nocionit "burime administrative dhe/ose shtetërore". Kjo mungesë, në gjykimin dhe vlerësimin tim, nuk është thjesht terminologjike. Ajo, në gjykimin dhe vlerësimin tim, krijon pasiguri juridike, si për institucionet që duhet të zbatojnë ligjin, po ashtu edhe për organin mbikëqyrës që duhet ta interpretojë dhe zbatojë. Ky nocion duhet të përfshijë fondet publike, asetet publike, automjetet shtetërore, ndërtesat publike, personelin e administratës, sistemet elektronike të institucioneve, bazat shtetërore të të dhënave, faqet zyrtare të institucioneve publike dhe funksionarëve, platformat institucionale në rrjetet sociale, fushatat e komunikimit publik, aktivitetet ceremoniale, programet publike dhe çdo autoritet tjetër institucional që rrjedh nga ushtrimi i funksionit publik. Një përkufizim i tillë duhet të vendoset drejtpërdrejt në Kodin Zgjedhor dhe jo të jetë pjesë e akteve nënligjore.

Së dyti, legjislacioni aktual nuk formulon në mënyrë të qartë parimin e neutralitetit institucional. Kodi Zgjedhor ndalon disa sjellje konkrete, por nuk përmban një normë të përgjithshme që të sanksionojë detyrimin e çdo organi publik për të ushtruar funksionet e tij në mënyrë të paanshme gjatë periudhës zgjedhore. Kodi duhet të parashikojë parimisht kufirin e ndarjes midis shtetit dhe partisë në pushtet si një standard të administrimit zgjedhor dhe jo si një parim politik.

Në shumë vende të OSBE-së ky është një parim me vlerë kushtetuese ose ligjore. Edhe në legjislacionin shqiptar duhet të ecet në këtë drejtim. Një dispozitë e tillë do të shërbente si normë bazë mbi të cilën do të ndërtohej i gjithë sistemi i kontrollit administrativ.

Së treti, legjislacioni aktual nuk përcakton me qartësi kufirin mes aktivitetit institucional dhe aktivitetit me efekt elektoral. Ky është ndoshta problemi më kompleks në praktikë. Administrata publike nuk mund të pezullojë aktivitetin e saj gjatë fushatës zgjedhore. Qeveria natyrisht që duhet të vazhdojë të qeverisë, bashkitë duhet të vazhdojnë të ofrojnë shërbime për qytetarët, por njëkohësisht ushtrimi i këtyre funksioneve nuk duhet të shndërrohet në një instrument në promovimin elektoral. Reforma Zgjedhore duhet të vendosë në mënyrë objektive, për të dalluar aktivitetin elektoral, administrativ dhe aktivitetin që krijon përfitim politik. Të përcaktohet qartë se gjatë periudhës zgjedhore, përveç rasteve të domosdoshme për interes publik ose emergjencave, nuk lejohen inaugurimet e veprave publike, ceremonitë promovuese të investimeve publike, aktivitetet për prezantimin e projekteve të reja të financuara nga buxheti i shtetit, shpallja e skemave të reja të subvencioneve apo granteve, si dhe shpërndarja ceremoniale e akteve administrative individuale, kur kjo nuk diktohet nga detyrime ligjore ose afate të pashmangshme. Gjithashtu, duhet të ketë parashikime që ndalojnë publikimin e veprimtarisë së institucioneve publike gjatë një periudhe të caktuar, me përjashtim të rasteve kur kjo ka për qëllim informimin e publikut për një çështje konkrete. Nuk ka pse të mediatizohen në çdo formë inspektimet e punimeve publike, edhe kur ato janë vërtet të tilla.

Së katërti, nevoja e deritanishme ka treguar se komunikimi institucional është bërë një nga format më të sofistikuara të burimeve publike administrative. Legjislacioni ynë nuk e trajton ende të plotë këtë dimension. Faqet zyrtare të institucioneve, rrjetet sociale, materialet audiovizive të financuara nga fondet publike dhe komunikimi digjital institucional duhet të jenë domosdoshmërisht objekt i një rregullimi të posaçëm.

Së pesti, përvoja e zbatimit të nenit nr. 9 ka treguar se në hartën ligjore mund të plotësojmë boshllëqet e ligjit, por nuk mund t’i zëvendësojmë ato. Vendimi nr. 9 përfaqëson një nga instrumentet më të rëndësishme të ndërtuara nga KQZ në funksion të integritetit zgjedhor. Megjithatë, ai nuk mund të krijojë kufizime që nuk kanë një bazë të qartë mbështetëse në Kodin Zgjedhor. Kjo është arsyeja pse një pjesë e konsiderueshme e rregullave që gjenden sot në këtë vendim do të duhen të ngrihen në nivel ligjor, duke përfshirë drejtpërdrejt ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në këtë mënyrë do të forcohej siguria juridike, do të zvogëlohej hapësira për interpretime të ndryshme dhe do të konsolidohej baza ligjore mbi të cilën KQZ, por edhe institucione të tjera, ushtrojnë kompetencat e tyre. Pra, ka nevojë për një filozofi të re rregullatore.”- tha ai.

Avancimi i reformës zgjedhore ka një rëndësi të mëdhe, sa i përket zgjedhjeve që zhvillohen në vendin tonë. Partitë synojnë të gjejnë një konsensus për ndryshimet që do të prekin sistemin zgjedhor dhe përfaqësimin në Parlament. Ndërsa puna e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore do të vijojë përtej afatit të parashikuar fillestar. pasi dy bashkëkryetarët e komisionit, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, kanë depozituar zyrtarisht kërkesën për zgjatjen e mandatit të tij deri në 30 nëntor 2026. Komisioni i Reformës Zgjedhore u ngrit në tetorin e vitit të kaluar më mandat 9 mujor./ZËRI

Poll

MOS HUMB