TIRANË- Zbardhet letra ku Marsida Xhaferllari kërkonte tërheqjen nga çështja ndaj kryedemokratit Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezit. Kjo pasi Berisha dhe Malltezi kërkuan përjashtimin e Xhaferllarit nga kjo çështje, me argumentin se kjo e fundit bashkëjeton me deputetin Enkeljed Alibeaj dhe është në konflikt interesi. Në letrën dërguar kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, Xhaferllari kërkoi që të dorëhiqej nga çështja e tyre, por kërkesa e saj u rrëzua. Në shkresën e saj, gjyqtarja shkruante se në vendimet e saj nuk kishte ndikuar kurrë askush, por për të shmangur aludimet kërkonte largimin nga çështja. Ndër të tjera shtonte se largimi i saj nga çështja nuk e cënonte kuorumin për marrjen e vendimit.
"Çmoj se funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese nuk vihet në rrezik për shkak të mungesës së kuorumit, gjë që më lejon të vlerësoj kriterin e dytë dhe të tretë. Reputacioni i Gjykatës është thelbësor, edhe nëse cenohen padrejtësisht të drejtat e mia individuale, më e rëndësishme është siguria e kërkuesit dhe publikut që gjykimi është i drejtë dhe i paanshëm. Për këto arsye, me gjithë ndjesinë e cenimit të të drejtave të mia, zgjedh të heq dorë nga gjykimi i kësaj çështjeje, në interes të ruajtjes së reputacionit të Gjykatës Kushtetuese dhe i siguruar kërkuesit një proces të drejtë dhe të paanshëm,"-shkruhet ndër të tjera në letër.
Kërkesa e Xhaferllarit për t’u dorëhequr nga çështja e Malltezit dhe Berishës
Kërkuesi Jamarbër Malltezi në datën 04.07.2024 ka paraqitur në Gjykatën Kushtetuese ankimin kushtetues individual nr. 4 (J) të Regjistrit Themeltar, me të cilin ka kundërshtuar vendimmarrjen e gjykatave të juridiksionit të zakonshëm për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj tij në kuadër të procedimit penal nr. 287/2020. Kolegji i Gjykatës në datën 17.09.2024 ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh.
Në datën 07.10.2024, kërkuesi ka paraqitur kërkesë për përjashtimin tim nga shqyrtimi i çështjes, me të cilën jam njohur në datën 08.10.2024. Ai ka vënë në dyshim paanshmërinë time, për të cilën paraqet si shkak ndërhyrjen nga persona të tretë, të cilët sipas kërkuesit kanë interes të drejtpërdrejtë politik në izolimin e kërkuesit dhe të vjehrrit të z. Sali Berisha për arsye politike. Me anë të kësaj kërkese parashtroj qëndrimin tim në kohën më të shkurtër të mundshme (duke vënë në dukje se në periudhën 09-13.10.2024 së bashku me të gjithë gjyqtarët kemi qenë me shërbim jashtë vendit), si një shenjë e detyrimit ligjor dhe etik që kam për të vlerësuar me seriozitet këtë kërkesë, pavarësisht nga baza e saj, për t'i përçuar jo vetëm kërkuesit mesazhin se kjo Gjykatë, dhe unë si anëtare e saj, trajtojmë me seriozitet çdo kërkesë të palëve.
Fillimisht, ndjej detyrimin të jap mendimin tim mbi aludimet e shkruara në kërkesë. Pranoj kujdesin etik me të cilin kërkuesi ka parashtuar arsyet që, sipas tij, i kanë krijuar perceptimin ose dyshimet për anësinë time në këtë çështje. Etika e përdorur në kërkesë më bën të ndjeshme për sinqeritetin me të cilin është parashtruar, duke mos e parë si një kërkesë abuzive. Nuk kam arsye të dyshoj mbi sinqeritetin e tij, por është detyra ime të shtoj se ato aludime nuk janë të vërteta. Kërkuesi vetë pranon se bëhet fjalë për dyshime. Cilat janë bazuar në informacione të marra nga rrjetet sociale apo faqet e internetit. E kuptoj që për një individ të zakonshëm, këto dyshime mund të krijojnë perceptimin e paragjykimit lidhur me paanësinë. Por si një funksionare shtetërore, dhe veçanërisht si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, detyra ime është të vlerësoj këto aludime jo sipas standardit të një individi të zakonshëm, por sipas standardit të një funksionari shtetëror, i cili duhet të ruajë konsideratat më të larta. Për këtë arsye, konfirmoj se supozimet për ndikim nga figura politike të ndryshme nuk qëndrojnë. Në asnjë rast, asnjë familjar dhe asnjë person me lidhje të afërta me mua nuk ka tentuar të më ndikojë në ushtrimin e detyrës. Në kërkesë nuk ka asnjë provë që sugjeron një veprim specifik nga ana ime, por vetëm aludime subjektive të palëve të treta. Deklaroj se nuk kam marrë pjesë në asnjë aktivitet politik të ndonjë partie apo shoqate me natyrë politike. Për më tepër, kujtoj se edhe Kuvendi i Republikës, me shumicën politike të asaj kohe, ka miratuar një rezolutë kundër anëtarësimit tim në Gjykatën Kushtetuese, gjë që tregon qëndrim të kundërt me atë që përfaqëson kërkuesi ose personat që ai përmend. Po ashtu, gjatë karrierës sime profesionale kam shërbyer edhe në administratën e lartë shtetërore, nën drejtimin e z. Sali Berisha, person i afërt me kërkuesin, çka mund të kishte krijuar dyshime të kundërta, nëse pranohen insinuatat për lidhje emocionale ose politike.
E kuptoj që insinuatat e natyrës politike mund të zënë vend në një shoqëri si e jona, dhe për këtë arsye i vlerësoj me kujdes. Kam dëshmuar gjithmonë qëndrime profesionale, dhe jam deklaruar hapur kur kam qenë në pakicë, duke dokumentuar në çdo rast mendimin tim, mbi të cilat mund të gjykohet objektivisht nga palët pjesëmarrëse në gjykim dhe nga çdo qytetar. Në vlerësimin tim për këtë kërkesë, nisem nga tre kritere kryesore: së pari, nëse kërkesa synon të çojë Gjykatën Kushtetuese në ngërç lidhur me zhvillimin normal të seancës gjyqësore. Është e qartë se kërkuesi ka interes që gjykimi të zhvillohet pa krijuar një ngërç për shkak të mungesës së kuorumit. Së dyti, midis krenarisë sime profesionale dhe ruajtjes së reputacionit të Gjykatës, duhet të prevalojë kjo e fundit. Dhe së treti, perceptimi publik për paanësinë duhet të jetë i padiskutueshëm. Duke pasur parasysh këto kritere, çmoj se funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese nuk vihet në rrezik për shkak të mungesës së kuorumit, gjë që më lejon të vlerësoj kriterin e dytë dhe të tretë. Reputacioni i Gjykatës është thelbësor, edhe nëse cenohen padrejtësisht të drejtat e mia individuale, më e rëndësishme është siguria e kërkuesit dhe publikut që gjykimi është i drejtë dhe i paanshëm. Për këto arsye, me gjithë ndjesinë e cenimit të të drejtave të mia, zgjedh të heq dorë nga gjykimi i kësaj çështjeje, në interes të ruajtjes së reputacionit të Gjykatës Kushtetuese dhe i siguruar kërkuesit një proces të drejtë dhe të paanshëm. Duke mbajtur në konsideratë lidhjen që çështja e kërkuesit ka me çështjen tjetër kushtetuese, të paraqitur nga ankuesi Sali Berisha për kundërshtimin e vendimmarrjes së gjykatave të juridiksionit të zakonshëm për caktimin e masave të sigurimit ndaj tij, ju lutem konsideroni se deklaroj për të njëjtat shkaqe heqjen dorë edhe prej saj.