TIRANË- Rikthehet ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj! Dosja për rikonstruksionin e 4 komisariateve, për të cilën nën akuzë është marrë Plarent Ndreca ka rikthyer në skenë edhe emrin e tij. Burime për "Ora News" bëjnë me dije se drejtoresha e kabinetit, Elona Kokalari, në kohën kur është bërë prokurimi për tenderin ka nxjerrë në dritë një fotografi.
Fotoja, e shkrepur në një ambient publik, ka në fokus ish-ministrin Lleshaj dhe Gjon Radovanin, i cili u bë edhe përfituesi i tenderin. Në dosjen e SPAK u konfirmua fakti që Radovani kishte njohje më Lleshajn, por ndaj këtij të fundit nuk është ngritur asnjë akuzë penale.
Po të njëjtat burime bëjnë me dije se procedura e prokurimit publik është zhvilluar në vitin 2019 e ndërsa SPAK thotë se në këto rrethana Radovanin e prezantoi Plarent Ndreca dhe Sandër Lleshaj. Por nga hetimet nuk është provuar nëse Lleshaj kanë pasur biseda për tenderin në fjalë me Radovanin.
Sipas SPAK, Ndreca dhe zyrtarët e Ministrisë e kanë privilegjuar Radovanin në të gjitha fazat e procedurës së prokurimit dhe në përfundim e kanë shpallur fitues dhe lidhur kontratë me bashkimin e Operatorëve ekonomikë, Derbi-E shpk, ndërkohë që nuk përmbushte kriteret ligjore. Gazetarja Klodiana Lala raporton se Radovani sikurse thuhet në dosjen e SPAK rezulton të jetë mik me ish-ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, me të cilin ka shkëmbyer dhe mesazhe. E duket se për shkak të njohjeve dhe lidhjeve me titullarin e institucionit, kompania e tij ka fituar dhe tendera pranë ministrisë së Brendshme.
Nga hetimet rezulton se mes Radovanit i cili ka qenë konsulent në Ministrinë e Brendshme për këtë tender dhe të pandehurit Plarent Ndreca janë shkëmbyer e-maile, që përmbajnë të dhëna lidhur me ambientet e komisariateve Vlorë, Pogradec dhe Mirditë, të cilët do të rikonstruktoheshin. Sipas SPAK të dhënat i janë përcjellë paraprakisht shtetasit Gjon Radovani, i cili është ortak i APE shpk që u shpall fitues si bashkim operatorësh me Derbi-E shpk, në procedurën e prokurimit.
Në dosje thuhet se mes Ndrecës dhe Radovanit por edhe zyrtarëve të tjerë të ministrisë janë zhvilluar takime dhe kanë diskutuar lidhur me gjendjen e objekteve policore.
“Nga ky komunikim provohet se i pandehuri Plarent Ndreca ka patur dijeni paraprakisht lidhur me angazhimin dhe pjesëmarrjen e shtetasit Gjon Radovanit në hartimin e projekteve tip për objekte të policisë së shtetit për të cilat do të zhvillohej më pas dhe procedura e prokurimit,”- thekson SPAK.
Për të pandehurin Plarent Ndreca me detyrë në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm dhe Titullari i Autoritetit Kontraktor në procedurën e prokurimit, objekt hetimi evidentohet qartësisht sjellja e tij e kundërligjshme duke dokumentuar një sërë shkelje ligjore gjatë fazave të ndryshme të procedurës së prokurimin publik objekt hetimi. SPAK thekson se ai në bashkëpunim me punonjësit e tjerë, si specialistët e prokurimeve, anëtarët e KVO, anëtar KSHA, drejtoreshën e kabinetit të Ministrit dhe drejtoreshën e Shërbimeve Mbështetëse në Ministri kanë bërë të mundur që këtë tender ta fitonte BOE Derbi-E dhe APE shpk, duke krijuar avantazhe për këtë subjekt gjatë procedurës së prokurimit./ZËRI