TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme, pasi akuzohet për shkelje të barazisë bë tenderë. Por, edhe pse nën hetim nga SPAK, Ndreca nuk e sheh si opsion dorëheqjen, madje drejtoi edhe Komisionin Hetimor në mungesë të kryetares Albana Vokshi.
“Sot kemi hetim parlamentar”, tha ai dhe vijoi me drejtimin e komisionit Hetimor për “sterilizimin”.
SPAK mori të pandehur deputetin e PS-së më 25 tetor për veprën penale "shkelja e barazisë në tendera", për të cilën nëse shpallet e fajshëm, dënohet me burgim gjer në 3 vjet. Hetimet e SPAK janë fokusuar në procedurat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në kohën kur Ndreca ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.
Në Komisionin Hetimor ndodhej i pranishëm vetëm demokrati Petrit Vasili, por ai nuk foli rreth hetimeve që po kryhen për socialistin. Ndërsa, Albana Vokshi ndodhet në Amerikë për të ndjekur zgjedhjet presidenciale që mbahen më 5 nëntor.
Ndërsa në komision janë thërritur si dëshmitarë Alfred Careri, Gentian Keri dhe Juliana Hoxha. Komisioni do të mbyllet në 14 nëntor, dhe javën tjetër pritet që të dëshmojë edhe dëshmitari i fundit, Ilir Beqaj, i cili ndodhet në burg. /ZËRI