
TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për të kundërshtuar masën e sigurisë “arrest me burg” që u caktua ndaj tij nga Gjykata e Shkallës së Parë në korrik të këtij viti pas hetimeve në për dosjen “SASPAC”.
Kërkesa u depozitua nga avokati i tij Ermal Yzeiraj. Beqaj u arrestua më 4 korrik, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, pas hetimeve në lidhje me fondet e agjencisë së menaxhimit të fondeve të Bashkimit Europian.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritur dyshime se ish-ministri Beqaj si drejtues i SASPAC, ka abuzuar me të paktën 8 procedura prokurimi nga agjencia për menaxhimin e fondeve të BE, duke fryrë shifrat në qindra mijëra euro drejt kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera. Përfitues i parave ka qenë vetë ish-ministri dhe bashkëpunëtorët e tij, por SPAK nuk e ka një shifër ekzakte, ndaj ish-ministri Beqaj akuzohet për shpërdorim detyre. /ZËRI