
TIRANË- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i ka dërguar një letër kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropalit për mandatin e socialistit Vullnet Sinajt. Në dokumentin që Bardhi i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë, kërkon që çështja e mandatit të deputetit socialist të kalojë në Gjykatën Kushtetuese.
"Me mocionin nr. 3160 Prot., datë 08.08.2024, jo më pak se 1/10 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë kanë kërkuar "Ndjekja e procedurës parlamentare për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj dhe "Dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj". Ky mocion nisi shqyrtimin në mbledhjet e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, duke zhvilluar 2 mbledhje, por nga data 18 Shtator 2024, Kryetarja e Kuvendit nuk ka thirrur më mbledhje të këtij Këshilli, duke penguar vijimin e procedurës parlamentare dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Ky pengim i Kryetares së Kuvendit është një shkelje flagrante e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, dhe gjithashtu një cënim flagrant i të drejtës kushtetuese të 1/10 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Në këto kushte, në përputhje me nenet 70, pika 4, të Kushtetutës dhe nenit 13 e 119/1, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, kërkojmë: (1) Të thërrisni mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet për vijimin e shqyrtimit të mocionit të paraqitur nga subjekti kushtetues jo më pak se 1/10 e deputetëve të Kuvendit; si dhe (ii) Përfshirjen në Rendin e Ditës së një prej seancave më të para të Kuvendit dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj,"-shkruhet në letrën e Bardhit.
Në mocionin e dorëzuar nga deputetët opozitarë, thuhet se Sinaj ka shkelur Kushtetutën, pasi ka përfituar fonde publike në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, i cili ndalon deputetit që të përfitojë pasuri publike. Opozita pretendon se ekzistojnë 30 prova se si si ligjvënësi i maxhorancës ka përfituar para nga buxheti i shtetit nëpërmjet kompanive të tij gjatë kohës së ushtrimit të mandatit të deputetit.
Socialisti nuk i ka tjetërsuar aksionet, por i ka transferuar te persona të tjerë, dhe për këtë arsye demokratët akuzojnë se ai asnjëherë nuk ka humbur të drejtën e pronësisë mbi kompanitë e tij dhe marrjen e fitimeve. Demokratët shprehen se pronësia mbi këto kompani dhe fakti që fitimet kanë shkuar si divident për vetë deputetin Vullnet Sinaj rezulton i provuar edhe nga deklaratat vjetore të deklarimit të pasurisë nga ana e tij. Firmosësit e mocionit pretendojnë se janë të paktën 9 transaksioneve të verifikuara nga thesari i shtetit në shumën totale 3.689.814 lekë që kanë shkuar si pagesa për shoqëritë “BIGALB GROUP” sh.p.k., “BIG LISUS” sh.p.k., “BIG DURRËSI” sh.p.k., “BIG PESHKOPIA” sh.p.k., “BIG ROI” sh.p.k., “BIG LEO” sh.p.k., “BIG LEZHA” sh.p.k., “BIG DRINI” sh.p.k., “BASHKIMI” sh.p.k., “TIRANA CASH & CARRY” sh.p.k./ZËRI