Politikë

PD kërkon t’i hiqet mandati, Vullnet Sinaj: S'kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek

Sipas tij, që në momentin që ka fituar mandatin ka dhënë dorëheqjen nga administrimi i bizneseve të tij për t'ju përkushtuar politikës.

k.m.
PD kërkon t’i hiqet mandati, Vullnet Sinaj: S'kam përfituar
Vullnet Sinaj

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj ka reaguar pas kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike që t'i hiqet mandati i deputetit. Në një reagim të ndarë në rrjetet e tij sociale, deputeti Sinaj adresoi akuzat se kishte përfituar para nga buxheti i shtetit. Sipas tij, që në momentin që ka fituar mandatin ka dhënë dorëheqjen nga administrimi i bizneseve të tij për t'ju përkushtuar politikës. Duke theksuar se jo vetëm që nuk ka përfituar para nga buxheti i shtetit, por edhe ka dhuruar rrogën e tij mujore për familjet dhe njerëzit në nevojë. 

Reagimi i Vullnet Sinajt: Mësova me habi dhe jo pa humor, kërkesën për mocion të Partisë Demokratike për heqjen e mandatit tim si përfaqësues i Partisë Socialiste në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Gjobëvënësit mediatikë e përsërisin këtë këngë gjinkallash nga viti 2017. Por, surpriza është që thashethemet e portaleve përdoren nga opozita duke i kthyer në akte politike. Per sa më sipër, deklaroj me përgjegjësi të plotë: 1. Në zbatim të nenit 70, pika 3 e Kushtetutës, nga viti 2017 kam dhënë dorëheqje nga administrimi i të gjitha bizneseve të mia, duke iu përkushtuar vetëm politikës. 2. Me vendimet e depozituara në QKB në vitin 2017, kam vendosur transferimin e të gjitha kuotave të kompanive, sipas ligjeve në fuqi. 3. Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet. Për më tepër, dhuroj prej vitesh rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë dhe as më shkon mendja të përfitoj financiarisht nga buxheti i shtetit.

Pasditen e djeshme, Partia Demokratike u shpreh do t’i kërkojë Kuvendit të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit socialist, Vullnet Sinaj. Kjo me pretendimin se nga verifikimi i të dhënave të thesarit të shtetit, rezulton se deputeti Sinaj ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit, në vlerë disa milion lekë, përmes 9 kompanive të tij private, edhe gjatë periudhës ku ushtron edhe mandatin e deputetit./ZËRI

Poll

MOS HUMB