TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për masat e sigurisë “Detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Më 21 nëntor 2024, Gjykata Kushtetuese refuzoi kërkesën e Berishës, i cili kërkoi të rrëzoheshin masat e caktuara nga Prokuroria e Posaçme. Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën e Berishës për kthimin e pasaportës, por nënvizoi se masat “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” nuk e kufizojnë ushtrimin e funksionit të deputetit dhe mund të aplikohen pa miratimin e Kuvendit.
Vendimi i Gjykatës:
"Nr. 81 datë 21.11.2024 (V-81/24)
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Holta Zaçaj, Kryetare, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Sonila Bejtja, Sandër Beci, Ilir Toska, Marjana Semini, Genti Ibrahimi, anëtarë, me sekretare Belma Lleshi, në datën 19.11.2024 mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve çështjen nr. 12 (S) 2024 të Regjistrit Themeltar, që u përket: KËRKUES: SALI BERISHA, përfaqësuar nga avokatët Klodiana Gjyzari dhe Genci Gjokutaj, me prokurë të posaçme.
SUBJEKT I INTERESUAR PROKURORIA E POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, me autorizim.
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, përfaqësuar nga sekretari i përgjithshëm, Genci Gjonçaj.
OBJEKTI: Shfuqizimi i vendimeve nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 117, datë 26.10.2023 të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 56 (87-2023156), datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-384, datë 05.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
BAZA LIGJORE: Nenet 3, 4, 5, 7, 15, 17, 18, 27, 29, 31, shkronja “b”, 32, pika 2, 38, 42, 46, pika 1, 73, 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i”, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (Kushtetuta); nenet 5, 7, 10, 14 dhe 18 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ); nenet 9, 14, 15, 25 dhe 26 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, të ratifikuar me ligjin nr. 7510, datë 08.08.1991 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike”; nenet 27 dhe 71/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar (ligji nr. 8577/2000).
GJYKATA KUSHTETUESE, pasi dëgjoi relatorin e çështjes Genti Ibrahimi, mori në shqyrtim pretendimet me shkrim të kërkuesit Sali Berisha (kërkuesi), i cili ka kërkuar pranimin e kërkesës, prapësimet me shkrim të subjektit të interesuar, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme), që ka kërkuar rrëzimin e kërkesës, parashtrimet me shkrim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (Kuvendi), i cili nuk ka mbajtur qëndrim për çështjen, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N: I Rrethanat e çështjes 1. Kërkuesi është një politikan, ish-president dhe ish-kryeministër, aktualisht deputet i Kuvendit dhe kryetar i partisë kryesore opozitare. 2. Mbi bazën e një kallëzimi për kryerjen e disa veprave penale nga funksionarë të lartë shtetërorë, të bërë nga shtetasi T.B., i cili në atë kohë ka qenë kryetari i grupit parlamentar të partisë në pushtet, Prokuroria e Posaçme në vitin 2020 ka regjistruar procedimin penal nr. 287 për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal (KP).
Objekti i kallëzimit dhe i hetimit në vijim lidhet me procesin e kthimit të pronës në favor të 5 familjeve ish-pronare, procesin e privatizimit të pronës shtetërore (të objekteve të ish- klubit sportiv “Partizani”), procesin e ndryshimit të destinacionit dhe, më pas, edhe të zhvillimit të pronës. 3. Me urdhrin e datës 02.10.2023, prokurorët e çështjes kanë shënuar në regjistrin e njoftimit të veprave penale edhe emrin e kërkuesit Sali Berisha, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim me shtetasit J.M. dhe F.B., të parashikuar nga nenet 260 e 25 të KPsë.
Për sa i përket kërkuesit, faktet penale objekt hetimi lidhen me sjelljen e dyshuar të tij gjatë kohës kur ai ka ushtruar funksionin e Kryeministrit, pas vitit 2005, në proceset e kthimit të pronës, të privatizimit të pronës shtetërore (objekteve të klubit sportiv “Partizani” në varësi të Vendim i Gjykatës Kushtetuese Kërkues: Sali Berisha Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Klubit Shumësportesh Partizani në varësi të Ministrisë së Kulturës), të ndryshimit të destinacionit dhe të zhvillimit të pronës, duke favorizuar shtetasit J.M., F.B. e XH.B., ku këta të fundit dhe shoqëria e lidhur me ta kanë realizuar ndërtimin e një blloku pallatesh. Për këto procese dyshohet se janë dhënë dhe marrë përfitime monetare, paligjshmëria në origjinën e të cilave është fshehur nëpërmjet veprimeve financiare, transaksioneve të copëzuara ose në cash. 4. Në datën 16.10.2023 Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO-ja e Shkallës së Parë) kërkesën për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj personave nën hetim, përfshirë edhe kërkuesin Sali Berisha, për të cilin është kërkuar vendosja e masave të sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, të parashikuara nga nenet 234 dhe 233 të Kodit të Procedurës Penale (KPP).
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ekziston dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova, se nga ana e kërkuesit, në ushtrim të pushtetit të tij si Kryeministër, janë kryer veprime konkrete dhe aktive në drejtim të: përgatitjes dhe miratimit të projektligjeve dhe të projektvendimeve të qeverisë, në bashkëpunim me aleatët e vetë politikë, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet ish-pronare, ku përfitues i drejtpërdrejt ishte dhe shtetasi J.M., bashkëshorti i vajzës së tij; kryerjes së kontrolleve administrative, duke shfrytëzuar kompetencat e vartësve të tij, me qëllim ushtrimin e presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete për veprime që duhet të kryenin funksionarët që pengonin procesin e privatizimit të klubeve sportive në favor edhe të shtetasit J.M.; vendosjes në dispozicion të shtetasit J.M. të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të kthimit të pronës, privatizimit të pronës shtetërore dhe ndryshimit të destinacionit të pronës edhe në favorin e këtij shtetasi.
Po ashtu, sipas Prokurorisë së Posaçme, përfitimi i parregullt në favor të shtetasit J.M. lidhet me dyshimin se të gjitha këto procedura, pavarësisht interesit publik në lidhje me nevojën për ambiente sportive, janë bërë me qëllimin e vetëm për të shtënë në dorë pronën dhe për ta përdorur atë për përfitime materiale, ku si të tilla janë konsideruar të gjitha ato përfitime monetare që ky shtetas ka marrë përmes shoqërisë ndërtuese, konkretisht nga shpërndarja e fitimeve të saj të akumuluara ndër vite përpara se ai të deklarohej bashkëortak i saj, të llogaritura në shumën 672 976 832 lekë ose 5 420 345 euro.
5. GJKKO-ja e Shkallës së Parë, gjyqtari i hetimeve paraprake, me vendimin nr. 112, datë 20.10.2023, ka vendosur të pranojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, duke caktuar për kërkuesin masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, të parashikuara nga nenet 234 dhe 233 Vendim i Gjykatës Kushtetuese Kërkues: Sali Berisha të KPP-së”, thuhet në vendim.
Më 21 nëntor Gjykata Kushtetuese vendosi se masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” do të vijojë të jetë në fuqi. Në vendimin e argumentuar, Gjykata Kushtetuese sqaron se ka pranuar pjesërisht ankimin e Berishës për masat e marra nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Përsa i përket ankimimit se Prokuroria nuk ka komunikuar me Kuvendin, duke qenë se Berisha është deputet, Gjykata shprehet se e shqyrtoi masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, në këndvështrim të të drejtës për t’u zgjedhur sipas nenit 45 të Kushtetutës dhe duke iu referuar llojit të detyrimit që vendos masa dhe shpeshtësisë së zbatimit të tij (një herë në dy javë) dhe njëzëri arriti në përfundimin se ajo nuk prek funksionet legjislative të Kuvendit dhe nuk e pengon deputetin të ushtrojë të drejtat e tij si deputet. Për rrjedhojë gjykata njëzëri arriti në përfundimin se në rastin konkret, kjo masë nuk përbën kufizim të lirisë personale dhe, për pasojë nuk nevojitet autorizimi nga Kuvendi për zbatimin e saj ndaj deputetit./ZËRI