TIRANË-Një ditë nga mbyllja e 2024, qeveria e kryeministrit Edi Rama miratoi pasditen e 30 dhjetorit, kontratën koncesionare 44,6 milionë euro pa TVSH me biznesmeni Bashkim Ulaj, për projektimin dhe ndërtimin e segmentit rrugor Milot-Thumanë, 13,5 km i gjatë, pjesë e korridorit blu.
Vendimi:
Miratimin e kontratës së koncesionit/partneritet publik privat, për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe transferimin e segmentit rrugor Milot-Thumanë, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë “Gener 2”, sh.p.k., “Illyrian Consulting Engineers”, sh.p.k., dhe “I.D.K – Konstruksion”, sh.p.k.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 26, pika 9, e 41, pika 2, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kontratës së koncesionit/partneritet publik privat, për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe transferimin e segmentit rrugor Milot-Thumanë, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë “Gener 2”, sh.p.k., “Illyrian Consulting Engineers”, sh.p.k., dhe “I.D.K – Konstruksion”, sh.p.k., që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Kryeministri
Edi Rama
Në mungesë dhe me porosi
Zevendëskryeministri
Belinda Balluku
Koncesioni për Milot - Thumanë
Qeveria miratoi kontratën e koncesionit me bashkimin e operatorëve ekonomikë “Gener 2”, “Illyrian Consulting Engineers”, dhe “I.D.K – Konstruksion”, për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe transferimin e segmentit rrugor Milot-Thumanë, 13,5 km i gjatë.
Koncesioni do të kushtojë 44,6 milionë euro pa TVSH. Kohëzgjatja e kontratës koncesionare/PPP do të jetë 35 (tridhjetë e pesë) vjet nga hyrja në fuqi e saj.
Gjurma e kësaj rruge fillon pranë nyjës së Milotit dhe përfundon pranë rrethrrotullimit të Thumanës. Ky segment ekzistues është një karrexhatë me dy korsi dhe me dy sense lëvizjeje 2×2 (A1), me një trafikndarëse dhe korsi emergjence. Kjo rrugë do të përmirësohet në një autostradë të plotë të Kategorisë A, së bashku me rrugët e shërbimit dhe sistemet e nevojshme ITS.
Po në mbledhjen e Këshillit të Ministrave biznesmeni Bashkim Ulaj, botues dhe pronar i stacionit televiziv A2 së bashku me dy vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për ndërtimin e resortit turistik Blue -Borgo” në bregdetin e Velipojës. Ka një sipërfaqe prej 147.2 ha. Rruga kryesore në afersi të pojektit është rruga Velipojë – Shëngjin. Statusi special parashikon lehtësira fiskale.
VENDIM
PER
Dhënien e statusit të veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” aplikuesit “Aba Blue Borgo”, sh.p.k. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 33/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” aplikuesit “ABA BLUE BORGO”, sh.p.k.
2. Ngarkohet ministria përgjegjëse për turizmin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Pak ditë më parë, qeveria miratoi një tjetër kontratë me Bashkim Ulajn. Më 18 dhjetori zv/kryeministrja dha lejen për ndërtimin e një termocentrali të ri me kapacitet të instaluar prej 170 MË në Roskovec, Qarku Fier. Ky projekt do të realizohet nga shoqëria greko-shqiptare “Fier Thermoelectric” sh.a e cila aksionerë ka kompaninë greke DEPA COMMERCIAL S.A. 35% dhe kompaninë tjetër greke GEK TERNA Holdings 35% ndërkohë që GENER 2 zotëron 30% të aksioneve. Ndërkohë banorët e zonës protestojnë dhe e kundërshtojnë ndërtimin e saj pasi shkakton ndotjen mjedisore.