KSAMIL- David Gjana, 29 vjeç nga Kukësi është autori i dytë i vrasjes së turistit portugez Luis Miguel Varela Mendez. Burime i thanë ZËRI se i riu ka dy mbiemra, Gjana dhe Heurtevent. Policia dyshon se gjatë rrahjes së 20-vjeçarit portugez nga grupi i kamarierëve të Principotes, i përfshirë kryesor bashkë me Sokrat Vatën ka qenë edhe Gjana.
David Gjana (Heurtevent), klient në lokal, ka qëlluar me grushte të riun portugez dhe pasi është dhunuar edhe nga pjesëtarët e tjerë të stafit, ka qenë Sokrat Vata nga Hasi që e ka tërhequr të riun duke e nxjerrë jashtë ambientit clubit të natës brenda Principotesit, “La Guerre”.
Turistin portugez e ka dërguar deri te shezlongët e beach bari-t aty pranë, “Paradise”, ku edhe e ka goditur me thikë për vdekje. David Gjana rezulton se është lidhje e afërt familjare e Bekim Bulicës, pronarit të Principotes, i shpallur gjithashtu në kërkim. Gjana akuzohet për vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim.
"Në orën 05:15, të datës 18.08.2026, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil, gjatë një konflikti midis disa personave, shtetasi S. L., alias S. V., dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) disa herë në trup shtetasin e huaj portugez L. V., 20 vjeç. Po në të njëjtën kohë, edhe shtetasi D. H., tashmë i shpallur në kërkim, e ka goditur me grushte 20-vjeçarin. Të dy këta shtetas akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim."-thotë Policia.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në orët e para të mëngjesit në Ksamil, atje ku është vrarë me thikë 21- vjeçari portugez Luis Miguel Varela Mendez. I riu u qëllua me thikë për vdekje nga truproja i Principotes, Sokrat Vata, që pas një sherri banal e la të pajetë mbi shezlonet e plazhit dhe u arratis. Arratia mori fund pas 5 orësh kur u arrestua në Levan, i fshehur në bagazhin e një makine, i shoqëruar nga dy shtetasë turq. Policia ka shpallur në kërkim pronarin e Principotes, Bekim Bulica ndërkohë është ndaluar edhe polici i kufirit në Gjirokastër, Moisid Matushaj, pasi dyshohet se e ka ndihmuar të riun. Po në Sarandë, 3 ditë më parë, u dhunua shefi i Krimeve, Mateo Bakalli, pasi ndërhyri në një sherr ku po dhunohej një turist i huaj. Truprojat e Orange e dhunuan efektivin./ZËRI