Aktualitet

Lihet në burg Ylli Zalla: S'kam lidhje me atentatin e Rinasit, armët nuk janë të miat! Avokati: U dorëzua vetë

Sa i përket atentatit në Rinas, Zalla ka deklaruar se "është përgojuar kot", ndërsa ka pretenduar se armët e gjetura në banesën e tij nuk i përkasin atij.

F.I
Lihet në burg Ylli Zalla: S'kam lidhje me atentatin e Rinasit,
Ylli Zalla

TIRANË-Ylli Zalla i arrestuar mëngjesin e 17 gushtit pas rreth 10 muajsh në kërkim ka dalë sot para trupës gjykuese në Gjykatën e Tiranës. 49-vjeçari ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij, si i përfshirë në atentatin e Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani dhe posedues i dy arsenaleve me armë një në Zall dhe një në Nikël. Zalla dyshohet se është personi që iu ka siguruar armët atentatorëve dhe nga e njëjta banesë dyshohet se ka dalë edhe mjeti tip 'Toyota Yaris' i autorëve të atentatit mafioz në Rinas. 

“Jam vetëdorëzuar, i prisja që të vinin. Isha aty afër. Policia e Shtetit, Policia e Tiranës dhe e Krujës më kanë futur në hasmëri me gjithë zonën dhe duan të më vrasin”, mësohet se ka deklaruar ai.

Sa i përket atentatit në Rinas, Zalla ka deklaruar se "është përgojuar kot", ndërsa ka pretenduar se armët e gjetura në banesën e tij nuk i përkasin atij. Gjykata vendosi të lejë në fuqi masën arrest me burg, ndërsa mbrojtja kërkoi një masë më të lehtë sigurie, duke kundërshtuar argumentet për rrezikshmërinë e Zallës dhe të materialeve të sekuestruara në banesën e tij.

Avokati i Zallës ka pretenduar se armët e sekuestruara janë të vjetra dhe nuk paraqesin elemente që të tregojnë përdorimin e tyre në veprimtari kriminale. Po ashtu mbrojtja pretendon se Zalla është dorëzuar vetë, pavarësisht angazhimit të forcave të shumta të policisë dhe përdorimit të dronëve në operacion. 

“Ylli Zalla nuk ka asnjë rrezikshmëri të lartë si person apo vepra të ketë rrezikshmëri të veçantë. Së pari, armët dhe municionet e sekuestruara janë gjetur në pjesën e pasme të banesës, në ferra, pa asnjë rregull apo masë për ruajtjen e tyre, të paprekura apo të ambalazhuara. Së dyti, disa nga kapsollat detonatore nuk kanë qenë të afta të bëjnë plasjen apo disa bomba që nuk kanë qenë të lidhura në mënyrën e duhur. Armët janë prodhime të vjetruara, rreth 50-vjeçare, prodhime kineze të vitit 1982. Madje edhe sasia e kanabisit e sekuestruar ka qenë nën efektin e agjentëve atmosferikë, duke mos pasqyruar asnjë lloj kujdesi nga ana e të arrestuarit. Në lidhje me rrezikshmërinë e personit, Ylli Zalla nuk paraqet asnjë rrezikshmëri, pasi ai nuk është i përfshirë në asnjë ngjarje kriminale apo materialet që i janë sekuestruar në ferrat pas pjesës së oborrit të jenë përdorur në ngjarje të tjera apo ai vetë të marrë veprime për shitje të lëndëve narkotike. Në këtë drejtim, me interes të veçantë të theksohet se Ylli Zalla është dorëzuar vetë. Është e vërtetë që policia është angazhuar me dron dhe me efektivë të shumtë, por kështu ajo ka realizuar çdo operacion ndaj Ylli Zallës për ta kapur dhe nuk ka mundur dot ta kapë atë. I vetmi element që solli sukses në operacionin e policisë ishte dëshira e Yllit për t’u dorëzuar, për të sqaruar pozicionin e tij,"-u shpreh avokati i Zallës.

49-vjeçari u arrestua të hënën (17 gusht), i fshehur në një ndërtesë rreth 500 metra larg shtëpisë së tij, i armatosur me një kallashnikov dhe tre krehra me fishekë. Arrestimi i tij u krye një ditë pasi një sasi tritoli shpërtheu në banesën e tij.

Arsenalët me armë

Gjatë një operacioni në Nikël në nëntor të 2025, u gjet një arsenal armësh dhe minash, të cilat dyshohet se mund të kenë lidhje me grupime kriminale aktive në zonë. Në banesë janë gjetur automatikë, një mitroloz, pjesë armësh të ndryshme, 12 granata ,fishekë të kalibrave te ndryshme, fitil zjarrpërcjellës, si dhe 3 kallëpë tritoli. Poseduesi i armëve rezultoi Ylli Zalla.

Më 20 shkurt të këtij viti afër banesë së Ylli Zallës, në fshatin Zall u gjetën në tokë dhe u sekuestruan 24 kallëpë tritoli, 11 granata dore sulmuese, sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellës, 5 ndezës granatash, 74 kapsolla detonatore, 19 mbështjellje sferike C4, 11 kallëpë dinamiti, 3 armë zjarri, krehra dhe pjesë armësh, 2 silenciatorë, 9000 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 6 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, uniforma policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Në vitin 2014 ai u arrestua për prodhim të bombave artizanale. Sipas policisë ai dyshohej për lidhje me grupin e muxhahedinëve që dërgojnë shqiptarë për të luftuar në Siri. Ndaj tij Gjykata e Shkallës në Parë në Krujë kishte vendosur më 13 mars të 2014 masën e arrestit me burg pasi ka kryer vepren penale "Prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake” si dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Ndërkohë Zalla është arrestuar edhe në vitin 2011, pasi kishte kërcënuar me jetë edhe ish-pronarin e fabrikës së çimentos në Krujë.

Poll

MOS HUMB