VLORË-Gjykata e Vlorës ka lënë në fuqi masën 'arrest me burg' për Elvis Kosovën, i cili u arrestua në një vilë në Palasë mesditën e 23 gushtit. 40-vjeçari i njohur si 'Visi i Garave' u vendos në pranga pasi kërcënoi dhe dhunoi bashkëshorten e tij.
Gjyqtari Nertil Meçaj ka lënë në fuqi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj Kosovës. Vendimi është dhënë pas shqyrtimit të kërkesës së organit të akuzës dhe materialeve të paraqitura në seancë.
ZËRI raportoi lidhur me konfliktin mes çiftit, ku Kosova veç gruas dhunoi edhe një punonjës security. Policia u njoftua për një konflikt familjar në vilën ku qëndronte Kosova në Palasë dhe konstatoi një situatë të përshkallëzuar mes çiftit. Gjatë arrestimit, 40-vjeçarit iu gjet në banesë një armë zjarri pistoletë, tre krehra dhe municion luftarak. ZËRI ndau detaje nga ngjarja, ku dyshohet se shkak i konfliktit mes Kosovës dhe gruas së tij të jetë bërë tradhtia.
Kosova është një emër i njohur për autoritet, i cili rezulton i arrestua në gusht të vitit 2024 së bashku me një shtetas turk, pasi kishin ngritur një skemë mashtrimi, për përvetësimin e një mjeti audi luksoz, me vlerë rreth 200 mijë euro, të cilin e kishin marrë me qera në Gjermani.
Në korrik të vitit 2025, 'Visit të garave' iu vendos tritol në portën e garazhit të tij në zonën e “Liqenit të Thatë”. Emri i tij u përmend edhe në atentatin e Rinasit ku u ekzekutuan Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani. Automjetit tip Benz i cili u bë shoshë nga plumbat, me të cilin udhëtonin Dani me Shaljanin, u raportua të ishte i Kosovës. Vetë Kosova mohoi lidhjen duke deklaruar se nuk e mbante mend të kishte pasur ndonjëherë atë automjet dhe se ishte e pamundur të dinte për hyrjet dhe daljet e makinave nga kompania e tij./ZËRI

