Aktualitet

Apeli e la në burg! Telefonata me nënën mbi centralin bërthamor, Beqiri: Zgjodha vendin e gabuar për t'u fshehur, kisha ikur në Dubai

Vetë Beqiri ka deklaruar se nuk kishte zgjedhur vendin më të mirë për t'u fshehur.

F.I
Apeli e la në burg! Telefonata me nënën mbi centralin
Ermal Beqiri

FRANCË-Mediat franceze kanë ndarë detaje nga seanca në Gjykatën e Apelit në Amiens të Francës, e cila rrëzoi kërkesën për lirimin e biznesmenit Ermal Beqirit, i cili do të vijojë të qëndrojë në dhomat e baraburgimit në burgun e Beayuvais. Prej rreth një muaji, biznesmeni shqiptar në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për skandalin e tenderave të AKSHI-t, ndodhet në burgun e Beauvais. 

Avokati i tij pretendoi se klienti i tij po mbahej në një “ndalim të paligjshëm”. Sipas mbrojtjes, Beqiri kishte mësuar nga mediat shqiptare se ishte në kërkim dhe kishte njoftuar vetë autoritetet franceze.

“Ai u vu në dispozicion të autoriteteve, dha adresën e tij. Si mund të flitet për një ‘person të kërkuar që është arratisur’?”, ka deklaruar avokati.

Prokuroria kundërshtoi lirimin, duke argumentuar se pasuria e Beqirit dhe licenca e pilotit do t’i mundësonin atij të largohej shpejt nga territori francez dhe t’u shmangej autoriteteve. Në seancë, Beqiri foli i fundit. Vetë Beqiri ka deklaruar se nuk kishte zgjedhur vendin më të mirë për t'u fshehur.

“Kam ardhur në Francë në moshën 16-vjeçare dhe këtu kam familjen time të dytë. Po, lëviz shumë, në Turqi, Slloveni, Francë… Mund të kisha shkuar kudo, edhe në Dubai, por unë e dua Francën. Edhe pse nuk zgjodha vendin më të mirë për t’u fshehur, as vendin më të mirë për taksat…”, deklaroi ai, raporton media franceze Paris Normandie.

“Ti nuk na merr kurrë në telefon!”, ky ishte qortimi që bëri Ermal Beqirin të telefononte nënën e tij më 25 korrik, por telefonata do të pasohej nga një seri ngjarjesh të pazakonta, që do ta çonin atë pas hekurave në Francë. Beqiri u arrestua në Méaulte pasi fluturoi me avionin e tij privat mbi centralin bërthamor të Penly-t, i cili ishte shpallur në këkrim ndërkombëtar. 

Pasuritë e Ermal Beqirit në Francë po shqyrtohen nga autoritetet. Mes tyre është edhe një kështjellë në departamentin Oise në veri të Francës, që konsiderohet me vlerë 2.6 milionë euro.

Përballë autoriteteve franceze, më 27 korrik, Beqiri ka deklaruar se kishte gabuar me lartësinë e fluturimit dhe se në momentin kur kaloi mbi central ishte duke folur në telefon me nënën e tij. Në kuadër të procedurës së pranimit të fajësisë, ai u dënua me një gjobë prej 7 mijë eurosh, një shumë që për këtë person, të përshkruar si milioner, konsiderohet më shumë një episod i parëndësishëm.

Ministria e Drejtësisë në Shqipëri ka kërkuar që ai të ekstardohet, pasi SPAK po heton biznesmenin në kuadër të hetimeve për skandalin e tenderave të AKSHI-t. Nëse autoritetet franceze konfirmojnë zyrtarisht se ndaj Ermal Beqirit ekziston një urdhër arresti ndërkombëtar i lëshuar nga autoritetet shqiptare dhe ai rezulton i vlefshëm, do të mund të vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Megjithatë, para se të shqyrtohet kërkesa e autoriteteve shqiptare, drejtësia franceze duhet të përfundojë procedurat që lidhen me veprat penale për të cilat Beqiri dyshohet se ka kryer në territorin francez./ZËRI

Poll

MOS HUMB