VLORË-Policia e Vlorës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me arrestimin e Elvis Kosovës. Aahtu si ZËRI raportoi më herët, blutë njoftojnë se 40-vjeçari i njohur si 'Visi i Kosovës' dyshohet se ka dhunuar dhe kanosur bashkëshorten e tij. Policia u njoftua për një konflikt familjar në vilën ku qëndronte Kosova në Palasë dhe konstatoi një situatë të përshkallëzuar mes çiftit.
Gjatë arrestimit, 40-vjeçarit iu gjet në banesë një armë zjarri pistoletë, tre krehra dhe municion luftarak. ZËRI ndau detaje nga ngjarja, ku dyshohet se shkak i konfliktit mes Kosovës dhe gruas së tij të jetë bërë tradhtia.
Njoftimi i policisë:
Dhunoi dhe kanosi bashkëshorten, arrestohet në flagrancë 40-vjeçari.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, tre krehra dhe municion luftarak.
Rreth orës 13:40 është marrë njoftim për një konflikt familjar në një vilë të një kompleksi në zonën e Palasës.
Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Patrullës së Zonës, të cilat kanë konstatuar një situatë të përshkallëzuar. Për përballimin dhe neutralizimin e situatës janë angazhuar edhe forca shtesë të Stacionit të Policisë Dhërmi.
Shërbimet e Policisë, gjatë ndërhyrjes në banesë, kanë gjetur një armë zjarri, pistoletë.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës në Tiranë, me mbështetjen e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Policia gjeti dhe sekuestroi, në cilësinë e provës materiale, dy pako me municion luftarak dhe dy krehra me fishekë.
Nga verifikimet paraprake rezulton se shtetasi E. K. dyshohet se ka dhunuar dhe kanosur bashkëshorten e tij.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe në kohë të shërbimeve të Stacionit të Policisë Dhërmi, situata është neutralizuar dhe është parandaluar përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit, duke shmangur një ngjarje potencialisht të rëndë kriminale.
Shtetasi E. K. është arrestuar në flagrancë dhe është shoqëruar nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Fier, në ambientet e Policisë, ndërsa po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale për dokumentimin e plotë të rastit.