Aktualitet

Drogë dhe pastrim parash! Ilir Shtufi refuzon të ekstradohet në Shqipëri: S'jam i përfshirë

53-vjeçari deklaroi para prokurorit se “nuk jep pëlqimin për ekstradimin e tij dhe mohoi akuzat, duke pretenduar se nuk ka përfshirje”.

F.I
Drogë dhe pastrim parash! Ilir Shtufi refuzon të ekstradohet në
Ilir Shtufi

GREQI-Biznesmeni Ilir Shtufi i cili u arrestua më 12 qershor në Greqi, pas lëshimit të një urdhri-arresti nga SPAK, i dyshuar si pjesë e grupit kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave, ka refuzuar ekstradimin e tij në Shqipëri. 

Shtufi dyshohet për pastrim parash në kuadër të një operacioni që goditi një grup të trafikut të drogës, të drejtuar nga dy vëllezërit Koçeku nga Kamza. Biznesmeni Shtufi ka qenë aktiv në fushën e ndërtimit, por dyshohet se ka bashkëpunuar me grupin kriminal duke pastruar paratë e fituara nga trafiku i drogës.

“53-vjeçari u arrestua në zbatim të Njoftimit të Kuq të Kërkimit Ndërkombëtar që ishte në pritje ndaj tij nga autoritetet shqiptare, të cilat kërkojnë arrestimin dhe ekstradimin e tij për veprat penale që dyshohet se janë kryer në vitin 2020 në Tiranë dhe konkretisht për “pastrim parash të kryer duke përfshirë fonde të nxjerra nga trafiku i drogës, pjesëmarrje në një organizatë të strukturuar kriminale dhe kryerje të veprave penale nga një organizatë kriminale dhe grupe të strukturuara kriminale”, njofton “Protothema”.

Sot Shtufi u paraqit në Prokurorinë e Apelit të Selanikut dhe u vendos që të mbetet në paraburgim derisa Këshilli kompetent të vendosë mbi kërkesën për ekstradimin e tij në Shqipëri. Sipas informacioneve, 53-vjeçari deklaroi para prokurorit se “nuk jep pëlqimin për ekstradimin e tij dhe mohoi akuzat, duke pretenduar se nuk ka përfshirje”.

Siç është vërtetuar nga hetimi i autoriteteve, 53-vjeçari hyri në Greqi të premten e kaluar nga stacioni kufitar i Kristallopigjit, ndërsa herët në mëngjes të së njëjtës ditë autoritetet shqiptare kryen hetime të koordinuara në vendin e tyre për arrestimin e tij dhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë çështje.

Arrestimi i tij u bë nga oficerët e policisë të Nën -Drejtorisë së Krimit të Organizuar të Greqisë Veriore , pas informacionit të transmetuar përmes kanaleve ndërkombëtare të bashkëpunimit policor dhe INTERPOL-it, dhe ai u gjet përfundimisht në një hotel në Selanik.

SPAK thotë se Ilir Shtufi vlerësohet i përfshirë në veprime të kundërligjshme të pastrimit të parave duke vepruar në funksion të Luçiano Koçekut, nëpërmjet përfshirjes në një tërësi veprimesh si: shitje, tjetërsime fiktive, për qëllime të integrimit të të ardhurave te aktivitetit kriminal te Koçeku në shoqëritë “Nova Construction” dhe “LTD”.

Nga të dhënat financiare të shoqërive “LTD” e “Nova” rezulton një rritje e konsiderueshme e qarkullimit monetar për vitet që lidhen me aktivitetin kriminal të grupit kriminal të Luçiano Koçekut dhe se nga këqyrja e komunikimeve në “SKY ECC” të Luçiano Koçekut është provuar se Ilir Shtufi dhe subjektet e tij “Nova Construction” dhe “LTD” veprojnë sipas urdhrave dhe orientimeve të Luçiano Koçekut. Një nga pasuritë e ngritura nga paratë e drogës është edhe kulla te “Rruga e Kavajës” në Tiranë, e quajtur “Garden Building”.

Operacioni i zhvilluar më 12 qershor çoi në lëshimin e 20 masave të sigurisë. Mes personave të përfshirë në hetim janë edhe biznesmeni Artur Shehu, i shpallur në kërkim. Po ashtu në kërkim janë Erion Rama dhe vëllai i tij Adriani, nipat e Fatmir Ramës, i njohur si “Miri i Xhikes”. Grupi kriminal i vëllezërve Koçeku, i drejtuar nga Luçiano alias Artur Koçeku, vëllain e tij Abedin Koçeku dhe të tjerë anëtarë të familjes janë mes personave që është vendosur masa e sigurisë. Sipas SPAK, fitimet e krijuara nga trafiku i drogës janë investuar më pas në kompani ndërtimi, prona të paluajtshme dhe aktivitete të tjera ekonomike./ZËRI

Poll

MOS HUMB