ELBASAN-Agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë zhvilluar sot kontrolle në paraburgimin e Bradasheshit. Kontrolle janë edhe në qelinë ku mbahet biznesmeni Ergys Agasi. Lidhur me aksionin raportohet se janë sekuestruar disa celularë, por ende nuk janë zbërthyer që të zbulohet se kujt i përkasin. Telefonat celularë të sekuestruar do të zbërthehen në laboratorët e SPAK.
Ky është kontrolli i dytë që zhvillohet në sektorin ku mbahet Agasi. ZËRI raportoi më 14 shtator se gjatë kontrolleve të zhvilluara nga SPAK në ambientet e paraburgimit të Bradasheshit, u gjetën pije alkoolike në sektorin ku mbahet Agasi.
Ergys Agasi, i arrestuar pasditen e 26 gushtit, u transferua mëngjesin e 29 gushtit drejt ambienteve të paraburgimit të Bradasheshit, ku vijon të qëndrojë nën masën e sigurisë “Arrest me burg”. Biznesmeni ishte shpallur në kërkim nga SPAK si kreu i grupit të strukturuar kriminal, që qëndronte në krye të skemës së abuzimit me tenderat e AKSHI-t. Agasi akuzohet për disa vepra penale, mes të cilave grup i strukturuar kriminal, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Ndërsa iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit pasiv’. /ZËRI
