GREQI-Gentian Çipi, 41 vjeç lindur në Korçë dhe banues në Dishnicë të Korçës, është i burgosuri i arratisur mbrëmjen e djeshme nga spitali i Serres në Greqi. Çipi u arrestua bashkë me Enea Bashollin dhe Kleo Topën në shtator të vitit 2025 në vendin fqinj. I burgosuri 41-vjeçar arriti të arratisej gjatë transferimit nga Burgu i Nigritës drejt Spitalit të Përgjithshëm të Serres, ku në mbërritje në oborrin e spitalit, eskortës së burgut iu bë pritë nga persona të kamufluar si efektivë me kallashnikov.
Gentian Çipi nga Korça rezulton person me precedentë të rëndë penalë në Shqipëri e në Greqi. Konkretisht ai rezulton i dënuar në Shqipëri në korrik 2024 me 2 vjet burgim për “shkatërrim i pronës me zjarr” e kryer në bashkëpunim dhe në rrethana rënduese.
Fillimisht ai ishte hetuar në masën “Arrest në burg” por më pas Gjykata e kishte zbutur masën në “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Garancia pasurore”. Ai është akuzuar për djegien e një automjeti në 24.04.2023, në lagjen 13, Rr. “Loni Grazhdani” në Korçë.
Më herët, në janar 2023, në kuadër të operacionit “Fijet”, policia procedoi Gentian Çipin për shkak se gjeti të vendosura kamera në mënyrë të paligjshme pranë banesës së tij. Në 3 shtator 2024, Gentian Çipi hapi zjarr në Pylaia të Selanikut, duke tentuar të vrasë një 25-vjeçar grek jashtë një kantine. Greku u plagos me 3 plumba por arriti t’i mbijetojë plagëve, ndërsa Çipi arriti të arratisej.
Pas atentatit, tre të dyshuarit u larguan me një automjet në pronësi të Enea Bashollit. Gjatë ndjekjes, Çipi dhe Kleo Topa nuk iu bindën urdhrit të ndalimit nga policia, por tentuan të iknin duke lëvizur me shpejtësi dhe kryer manovra të rrezikshme, duke përplasur edhe një automjet policie. Të dy më pas braktisën mjetin dhe tentuan të fshiheshin në këmbë, por u arrestuan pak më vonë. Ndërkohë, disa orë më vonë, në zonën e Halkidikisë, policia arrestoi edhe Enea Bashollin.
Gjatë ndjekjes autoritetet greke sekuestruan, 1 armë automatike Kallashnikov me 30 fishekë, 3 pistoleta, 1 silenciator, rreth 31 kilogramë marijuanë, 1 pasaportë dhe 1 patentë të falsifikuar, 23,350 euro në para cash dhe 3 automjete.
Autoritetet greke kanë nisur një operacion të gjerë kërkimi për kapjen e të burgosurit Gentian Çipi dhe personave të armatosur që organizuan dhe realizuan arratisjen.
