GREQI-Një tjetër grup kriminal shqiptar është goditur në Greqi. Mediat fqinje raportojnë se tre shqiptarët janë autorë të një atentati me armë zjarri dhe akuzohen gjithashtu për trafik droge në linjën Shqipëri-Greqi.
Konkretisht në pramga janë vendosur tre korçarë, Gentian Çipi, 39 vjeç, me precedentë penale në Shqipëri, Enea Basholli, 30 vjeç, dhe Kleo Topa, 23 vjeç. Gentian Çipi, në shoqërinë e Bashollit dhe Topës dyshohet se ka tentuar të vrasë me armë zjarri një 25-vjeçar grek. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 3 shtatorit në zonën Pilaias të Selanikut, ku viktima mbeti rëndë i plagosur, duke marrë plagë në gjoks dhe në dorë. Në vendin e ngjarjes policia gjeti tre gëzhoja.
Pas atentatit, tre të dyshuarit u larguan me një automjet në pronësi të Enea Bashollit. Gjatë ndjekjes, Çipi dhe Topa nuk iu bindën urdhrit të ndalimit nga policia, por tentuan të iknin duke lëvizur me shpejtësi dhe kryer manovra të rrezikshme, duke përplasur edhe një automjet policie. Të dy më pas braktisën mjetin dhe tentuan të fshiheshin në këmbë, por u arrestuan pak më vonë. Ndërkohë, disa orë më vonë, në zonën e Halkidikisë, policia arrestoi edhe Enea Bashollin.
Gjatë ndjekjes autoritetet greke sekuestruan, 1 armë automatike Kallashnikov me 30 fishekë, 3 pistoleta, 1 silenciator, rreth 31 kilogramë marijuanë, 1 pasaportë dhe 1 patentë të falsifikuar, 23,350 euro në para cash dhe 3 automjete./ZËRI