TIRANË-Është zbardhur mesazhin që ka mbërritur në adresat e email të disa institucioneve në vend, i cili alarmoi autoritetet e sigurisë. Mesazhi, i cili pretendohet se është dërguar në emër të “Shtetit Islamik”, përmban kërcënim për vendosjen e një bombe në ambientet e institucioneve. Gjykata, Bashki, Prokurori, Spitale si edhe disa institucione të tjera kanë marrë mesazhin.
“Përshëndetje. Ky është Shteti Islamik. Me vullnetin e Allahut kemi vendosur një bombë në ndërtesën tuaj. Ajo do të shpërthejë pas dy orësh. Pas kësaj, ju të pafe do të copëtoheni. Pastaj do t’ju vrasim. Allahu Akbar”, thuhet në e-mailin në fjalë.
Menjëherë pas e-mailit Policia e Shtetit dhe strukturat e specializuara të antiterrorit kanë nisur verifikimet dhe kontrollet në ambientet ku është marrë emaili. Konktrolle u kryen në Vlorë, Fier e Tiranë, kryesidht në Gjykata, Prokurori e Spitale. Nga kontrollet e kryera deri tani nuk është konstatuar prani e lëndëve apo mjeteve shpërthyese dhe dyshohet se bëhet fjalë për një alarm të rremë.
