TIRANË- Ergys Agasi i kundërshton pretendimet e bëra publike në kuadër të hetimeve të SPAK-ut përmes avokatit të tij Maksi Haxhia. Agasi mohon të ketë pasur takime me ish-drejtoreshën e SHISH Vlora Hyseni, ndërsa kundërshton edhe pretendimet se në automjetin e tij janë gjetur dokumente apo materiale të Shërbimit Informativ të Shtetit.
Avokati Haxhia tha se këto janë pretendime që klienti i tij i mohon dhe se Agasi është i gatshëm të përballet me çdo provë që mund të jetë pjesë e hetimit.
“Po e deklaroj çfarë kam biseduar me klientin dhe më ka thënë: asnjëra nga ato nuk qëndron. Kryetarja e Shërbimit Informativ nuk ka qenë asnjëherë në zyrën time. Nuk e kam takuar asnjëherë, në kuptimin që të kenë takime të vazhdueshme. Se çfarë ruajnë ata në kuptimin e funksionimit të atij institucioni është tjetër gjë, këtë nuk e di…, që është një lidhje, që është aset, a është në shërbim… këtë nuk di ta them.” tha avokati Maksi Haxhia.
Haxhia përcolli edhe qëndrimin e Agasit lidhur me pretendimet për bashkëpunim me sekrete shtetërore duke thënë se klienti i tij sfidon këdo që mund ta provojë një gjë të tillë.
“Vetëm di të them që ai sfidon. Më ka thënë që sfidoj këdo që të thotë: ‘Unë kam bashkëpunuar me sekretet shtetërore’ dhe e dyta: ‘Që në makinën që kam pasur në shtëpi janë gjetur dokumente’.” tha Haxhia.
Sa i përket materialeve që dyshohet se janë gjetur në automjetin e Agasit, avokati mohoi që aty të jenë gjetur dokumente të shërbimit informativ dhe tha se automjeti është verifikuar edhe në raport me një tjetër ngjarje për të cilën është hetuar.
“Sfidon këdo për ato biseda që kanë nxjerrë në media ose në publik dhe thotë: ‘Po të ishin se në makinën time, që aty ka qenë, nuk ka lëvizur, se është vërtetuar që nuk është makina me të cilën është kryer rrëmbimi, të jenë gjetur materiale të shërbimit informativ’.” tha avokati.
Haxhia kundërshtoi gjithashtu një version që i është atribuuar Agasit në lidhje me mënyrën se si dokumentet do të kishin përfunduar në automjet.
“Kanë vënë në gojën e Agasit që ai ka deklaruar që: ‘I kam pasur këto dokumente dhe i kam lënë në makinë’. Jo, nuk është e vërtetë, aty kam qenë në proces. Këtë kundërshton ai. Ai thotë, edhe prokurorinë dhe këdo tjetër që të ballafaqohet.”, tha Haxhia.
Një tjetër pikë e ngritur nga mbrojtja lidhet me publikimin e disa komunikimeve telefonike. Sipas avokatit, këto materiale duhet të jenë pjesë e dosjes së hetimit nëse janë autentike në mënyrë që mbrojtja t’i kundërshtojë në rrugë ligjore.
“Ne kërkojmë që prokuroria të distancohet, ose nëse janë të vërteta, t’i fusin në dosje, jo po të bëhet kallëzim ndaj prokurorisë. Jo, t’i vërë në dosje dhe ta bëjmë luftën ballë për ballë, pra ta bëjmë dyluftimin juridik me provat që ke, por e them përsërit, nuk besoj që prokuroria t’i ketë nxjerrë, sepse si ka, nuk i ka.”tha avokati.
Haxhia kritikoi publikimin e pretendimeve dhe materialeve të lidhura me hetimin në media duke argumentuar se kjo po e vështirëson punën e mbrojtjes.
“Ne, në cilësinë e mbrojtjes, na e kanë bërë mbrojtjen gati të pamundur. Ky variant fillon vazhdimisht, duke i bërë gjërat në publik, mbarset publiku dhe ne atëherë duhet të sqarojmë publikun dhe pastaj të bëjmë mbrojtjen juridike. Për mua është bërë një strategji dhe taktikë që ta vërë para fajësisë zotin Agasi.” tha Maksi Haxhia.
Në një zhvillim të mëparshëm të çështjes, gjykata ka miratuar tre masa të kërkuara nga SPAK për veprat penale të nxjerrjes së sekretit dhe përkrahjes së autorit të krimit, ndërsa mes personave ndaj të cilëve është vendosur masë sigurie është edhe ish-kreu i SHISH, i cili ndodhet në arrest shtëpie./ZËRI