
TIRANË- Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, përmes një deklarate informojnë emigrantët shqiptarë rreth procesit të regjistrimit në platformë. Komisionerët bëjnë me dije se të dhënat e tyre e zgjedhësve mbrohen me ligj, por i bëjnë apel partive politike, organizatave, palëve të tjera të angazhuara që të kenë kujdes në respektimin e ligjit dhe përpunimit të të dhënave personale në kuadër të veprimtarisë zgjedhore.
Deklarata:
1. Çdo përpunim i të dhënave personale duhet të bazohet në kritere të qarta ligjore dhe të kuptueshme për shtetasit. Shtetasit duhet të informohen në mënyrë të qartë se si dhe për çfarë qëllimi do të përpunohen të dhënat e tyre.
2. Partitë politike dhe organizatat përkatëse duhet të mbledhin dhe të përpunojnë vetëm ato të dhëna që janë absolutisht të nevojshme për qëllimet e regjistrimit të zgjedhësve.
3. Të dhënat e mbledhura duhet të mbrohen me masa teknike dhe organizative të përshtatshme për të parandaluar qasjen e paautorizuar, shkatërrimin ose keqpërdorimin e tyre.
4. Të dhënat e mbledhura për qëllime regjistrimi nuk duhet të përdoren për qëllime të tjera, si propaganda politike, pa marrjen e pëlqimit të informuar të shtetasit.
5. Partitë politike dhe organizatat përkatëse duhet të jenë të përgjegjshme për çdo shkelje të parimeve të mbrojtjes së të dhënave dhe të jenë të hapura ndaj mbikëqyrjes nga autoritetet kompetente.
Zbatimi i parimeve të mbrojtjes së të dhënave personale ndihmon në përforcimin e integritetit të zgjedhjeve dhe ruajtjes së besimit tek proceset demokratike.
Duke marrë parasysh rreziqet e mundshme që mund të sjellë përpunimi i paligjshëm i të dhënave personale të zgjedhësve, inkurajojmë qytetarët dhe subjektet zgjedhore që në rastet kur evidentojnë shkelje apo cenim të të dhënave personale të ankohen pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Ky proces realizohet duke plotësuar fillimisht formularin e ankesës, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, https://idp.al/ankohu/ e më pas duke e dorëzuar atë përmes postës elektronike [email protected], postës zyrtare, si dhe fizikisht pranë zyrave të këtij institucioni.
Për më tepër informacion, Zyra e Komisionerit ka hartuar dhe publikuar udhëzuesin “Për përpunimin e të dhënave personale në kontekstin e fushatave zgjedhore”.
Ky udhëzues orienton subjektet zgjedhore për mënyrën e garantimit të mbrojtjes së të dhënave personale të votuesve.
Vota e diasporës do implementohet për herë të parë këto zgjedhjeve. "Vullneti" i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit do të kushtojë 250 milionë lekë. Qeveria ka vendosur t’i japë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 2.5 milionë euro shtesë vetëm për projektin e regjistrimit të zgjedhësve në diasporë. KQZ-ja dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Por, një nga debatet më së fundmi mes Partisë socialiste dhe asaj demokrate është vlefshmëria e dokumenteve biometrike. Socialistët mohojnë të njohin shqiptarët që kërkojnë të votojnë pa mjete identifikimi ose nëse nuk janë të regjistruar në gjendjen civile. Nga ana tjetër, demokratët kërkojnë që shqiptarët të votojnë, pavarësisht se mjetete e tyre të identifikimit kanë skaduar./ZËRI