Aktualitet

Drejtori i RTSH/ 'Media' 4 orë seancë me Këshillin Drejtues: Rivlerësoni kandidaturat! Bungo: Përgjegjës jam, por... (DISKUTIMET)

Në nisje të mbledhjes, kryetarja e Komisionit të Medias në Kuvendin e Shqipërisë, Ina Zhupa dhe se Këshilli Drejtues e kishte mbushur "kupën" me paligjshmërinë.

k.m.
Drejtori i RTSH/ 'Media' 4 orë seancë me Këshillin
Pamje nga mbledhja

TIRANE- Komisioni i Medias sot zhvilloi seancën dëgjimore me një pjesë të anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar në lidhje me procedurat që janë ndjekur për të zgjedhur pasardhësin e Alfred Pezës në krye të institucionit. Pas seancës, e cila zgjati më shumë se 4 orë Komisioni i Medias i sugjeroi Këshillin Drejtues të RTSH të bëjë rivlerësimin e 10 kandidaturave për postin e drejtorit të përgjithshëm të RTSH-së. 

Në nisje të mbledhjes, kryetarja e Komisionit të Medias në Kuvendin e Shqipërisë, Ina Zhupa tha se Këshilli Drejtues e kishte mbushur "kupën" me paligjshmërinë, ndaj tani duhej bërë ndërhyrja nga Kuvendi i Shqipërisë. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe socialistja, ish-ministrja e Arsimit, Evis Kushi. Ka qenë anëtari Mevlan Shanaj i cili ka votuar nga Vietnami, duke e kthyer këtë proces votimi të paligjshëm e për rrjedhojë të pavlefshëm sepse është lejuar të votojë një anëtar që gjendet jashtë shtetit në një kohë që votimi ishte i fshehtë. Bungo dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar deklaruan se kjo ishte një praktikë që ishte aplikuar dhe më parë dhe nuk ishin në djeni që kjo ishte shkelje juridike. 

Por kush morri pjesë në mbledhje?

Prezent në seancën dëgjimore ishte kryetari i këshillit drejtues Leka Bungo, nënkryetari Gëzim Podgorica dhe anëtarët Genci Përmeti, Ilir Keko, Ardita Reçi, Milena Selimi, Ëngjëll Ndocaj, Edmond Tullumani dhe Albert Minga. Në mbledhjen e sotme munguan Mevlan Shanaj dhe Dionis Papadhimitri.

DISKUTIMET NË KOMISIONIN E MEDIAS:

Albert Minga: Ne jemi të gjithë njerëz të ndershëm, të përgjegjshëm, të moralshëm, që zbatojnë ligjin. Se u bë kjo si puna e një filmi ‘giallo’ (policor)... Më mori nga Vietnami atje ku është goxha vonë dhe më tha dëshiroja të isha edhe unë pjesë në Komision. Donte të ishte në diskutime online, fillimisht iu tha po, pastaj i thanë jo nuk do të marrësh pjesë...

Ina Zhupa: Ne kemi vendosur parimin e barazisë dhe kjo dëgjesë nuk ishte online, sepse do ishit lënë edhe ju të flisnit nga shtëpia. Kjo dëgjesë është me prezencë. Dhe nuk i është thënë po zotit Shanaj, por se do të pyesim, sepse Sekretaria nuk e ka tagrin të vendosë.

Albert Minga: E pashë të gjithë dokumentacionin e mbledhjes që bëmë atë ditë dhe po jua rilexoj sipas mradhës. Kryetari i Këshillit dhe anëtarët janë mbledhur dhe vendosën në unanimitet ngritjen e Komisionit Ad-Hoc për shqyrtimin dhe vlerësimin e kandidaturave për drejtor të RTSH dhe nuk ka pasur asnjë kundërshtim. Më tej Këshilli vendosi për mospërfshirjen e disa kandidatëve për shkak të mungesës së dokumentacionit për 5 nga kandidaturat. Ky vendim është firmosur nga të gjithë anëtarët e Këshillit në unanimitet, pa përjashtim. E theksoj, për mungesë dokumentacioni në konkurrim dhe janë shumë të rëndësishme. Komisioni përzgjodhi dhe Këshilli vendosi për emrat që plotësonin kriteret, e firmosur. Nuk jam budalla që të krijoj konflikte me pushtetin, Kuvendin, miqtë dhe mikeshat, sepse nuk jam as i çmendur. Procedura u zbatua duke parë dokumentet me zarf të mbyllur. U firmos faza e parë nga të 11 anëtarët e Këshillit drejtues. Dhe ata të 5 nuk kishin dokumentacionin e plotë dhe u vendos që të mos kalohej. Ka gjë këtu, ishte në unanimitet?

Zhupa: Po të kishit plotësuar procedurat, nuk do ishin sot këtu. Ne nuk kemi gjë me emrat apo se kush zgjidhet, por me zbatimin e procedurave. Duam dokument se si i keni verifikuar dokumentacionet e kandidatëve, cila ka qenë procedura e Këshillit. Ka shkelje. Ne duam të dimë pse u konsiderua votim i fshehtë ai i Mevlan Shanajt nga Vietnami i bërë online te sekretaria? Nuk iu kemi ndërhyrë ndonjëherë në preferenca, por kriteret duhet që të ndiqen në bazë të ligjshmërisë. Kriteret duhet të jenë të barabarta. Kam parë çudira, që e konsideroni CV-në kriter. Ku e keni parë këtë? Nuk është kriter CV-ja, është dokumentacion. Kualifikoni dhe skualifikoni në bazë të kritereve. Kjo ishte pika që derdhi vazon, se ju vazon e keni mbushur. Të njëjtat shkelje keni bërë kur keni zgjedhur Alfred Pezën.

Edmond Tullumani: Kurrë nuk kam gjetur qetësi për shkak të përplasjes të legjislativit me ekzekutivin. Po mirë gjithë këta drejtorë që vinim aty ishin të këqinj. Kam qenë objektiv si në rastin konkret. Mendova se këtë rast do të ishte një që e duan punonjësit. Nuk do të ishte një drejtor që do të ziheshim prapë. Nuk do të ishte drejtor që ta quanin hajdut. Mendova të isha preferencial për atë që është brenda kolektivit të RTSh, që të njohë hallet e problemet e të ishte pakontestuar.

Zhupa: Nuk mund të deklaroni votën. Sapo e bëtë. Thatë që keni preferencë të përzgjidhni zonjën Polo.

Edmond TullumaniJo nuk e kam me atë. Ka dhe një kandidat tjetër. 

Evis Kushi: Të gjithë jeni personalitete në fushën tuaj. Ne kemi pasur denoncime, ankesa. Pra nuk është rrufe në qiell të hapur kjo që ka ndodhur. Por ne asnjëherë nuk kemi dashur që të ndërhyjmë. Unë kam një pyetje të parë; a ka një procedurë të miratuar për mënyrën sesi përzgjidhet drejtori i RTSH?

Leka Bungo: Unë kam thënë se zgjedhja e Aurora Polos dhe kandidatit tjetër nuk i plotësojnë kushtet. Në proces ka pasur mangësi ligjore dhe një nga përgjegjësat jam unë. Por edhe pse jam kryetar, kam vetëm çelësat e kashtës në dorë. DMTH kryetari nuk mundet të ndërhyjë edhe kur konstaton shkelje. Sipas meje në atë Këshill ku jam unë, është krijuar një shumicë falso që voton edhe kur është në kundërshtim me ligjin. I vetmi që kam qenë kundër çdo herë kam qenë unë. I kam drejtuar një letër KLSH, Kuvendit dhe kryeministrit. Por ende nuk kam marrë përgjigje. Unë kam kërkuar që të diskutohen vlerat e kandidatëve para se të votohet. Aurora Polo ka mbaruar për inxhineri dhe nuk ka punuar asnjë ditë në media. Është në konflikt interesi të hapur dhe ajo e di mirë. Nëse do të kërkonim dokumenta, do të sillte dokumentin që kam këtu që thotë se Aurora Polo ka një biznes. Ajo duhet të kishte dhënë dorëheqjen nga ana morale. Ajo është në zyrën dhe në karrigen e drejtorit dhe emëron. Edhe pardje ka bërë një emërim në Pukë. Bëj meaculpa vetëm se kam lejuar një anëtar që të votojë nga Vietnami. E them edhe sepse nga ana ligjore nuk keni çfarë të më bëni. Gjithsesi e mbaj unë përgjegjësinë. 

Bungo shtoi se edhe pse ai është kryetar s'ka asgjë në dorë. Duke iu referuar një raporti të KLSH, ai tha se Enkelejd Joti ish- drejtues i RTSH është detyruar të kthyej 375 mln lekë në arkën e RTSH. 

Leka Bungo: Unë kam kërkuar nga këshilli drejtues dhe ata e kanë miratuar kërkesën time që të delegojmë të drejtën për të marr informacion nga administrata kryetarit të këshillit drejtues dhe unë këtë punë jam munduar që ta bëjë rregullisht, por asnjëherë s’kam marr një përgjigje të saktë dhe transparente me të 3 drejtorët. Mua më është thënë që t’i i dashur kryetar nuk mund të kërkosh informacion nga departamentet e tjera, ndërkohë që është e specifikuar që kryetari të marr informacion nga të gjitha departamentet, e kam me shkrim. Më është thënë nëse doni informacion do t’i drejtoheni drejtorit të përgjithshëm.  Dhe unë i jam drejtuar Enkelejd Jotit në shtyp, në mbledhje dhe në këtë sallë, ku kam thënë po nëse unë do të kem mendimin që t’ju pyes zoti drejtor a keni vjedhur ndonjë lekë këtë muaj, ju do të më përgjigjeni mua?. Kjo është mënyra e komunikimit tuaj me këshillin drejtues? Ka precedentë dhe më i freskët është ai para 10 ditësh, ku drejtori Enkelejd Joti është i detyruar të kthejë me emër dhe me mbiemër 375 mln lekë në arkën e RTSH dhe ky është përfundimi i KLSH, s’është i imi. Unë edhe pse jam kryetar vetëm çelësat e kashtës kam.

Ndërkohë, nga ana tjetër Ardita Reçi, e cila është anëtare në Këshillin Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar ka pranuar dhe gabimin e tyre në procesin zgjedhor të Drejtorit të Përgjithshëm të këtij institucioni. Reçi pohoi se nuk kanë shqyrtuar asnjë nga kandidaturat sa i përket përmbajtjes që kanë pasur dosjet e tyre, por thjesht kanë vlerësuar mungesën e dokumentacioneve apo plotësimit të saj.

Ardita Reçi: Jam e nderuar që jam pjesë e këtij këshilli, janë personalitete në fushë ne artit të njohur nga pjesa më e madhe e publikut. Megjithatë për shkak të formimit tim të ndryshëm në fushën e gazetarisë dhe drejtësisë, jam detyruar të mbaj qëndrim pakice siç dhe rasti i këtij procesi që jemi ftuar japim shpjegimet tona. Që në momentin e përfundimit të afatit të dorëzimit të dokumentacionit për kandidatët është zhvilluar vetme një mbledhje për shqyrtimin e kandidaturave dhe në këtë mbledhje ashtu si dhe thatë dhe ju, ashtu si dhe unë e lexoj ligjin, janë bërë disa shkelje nëse është e nevojshëm edhe mund ti lexoj. Me e rëndësishmja është që sipas mendimit tim në këtë ditë nuk duhej votuar edhe pse përmenden emrat në procesverbal ne nuk kemi shqyrtuar asnjë kandidaturë për sa i përket përmbajtjes që kanë pasur dosjet e tyre thjesht kemi vlerësuar mungesën e dokumentacionit apo plotësimin e saj. Në këtë moment ne duhet të votonim në bllok për kandidaturat që e kishin të plotësuar dokumentacionin. Ky mendoj se ishte gabimi. Për sa kohë që ne marrim përsipër të prodhojmë akte të cilat kanë pasoja juridike do të thotë që ne sillemi si organ administrativ dhe si organet administrative ne mund të bëjmë gabime. Unë mendoj se kemi tejkaluar momenti që ndodhet procesi i zgjedhjes së drejtorit, gjë që mund të rregullohet.

Genci Përmeti: Kryetari bëri një vetëfshikullim për një anëtar që votoi nga jashtë. Nuk është se nuk u pyet. por na u tha që ishte e ligjshme. Ndoshta ne kemi gabuar. Duhej ta kishim kontestuar, por thembra e Akilit duhej të ishte asistencë juridike. Këshilli e ka diskutuar dhe jemi të gatshëm ta diskutojmë këtë argument. Jemi të gatshëm ta diskutojmë këtë argument.

Leka Bungo: Janë 3 votime. E nuk mund të fshihet pas votës së fshehtë.

Ilir Keko: Nuk mund të pranoj që kam votuar në kundërshtim me ligjin, aq më tepër me bindje. Vazhdoj ti qëndroj mendimit që kam bërë dhe kam votuar duke menduar për më të mirën e atij institucioni. Kam votuar ndershmërit. Nuk mendoj se kemi shkelur ligjin.

Zhupa: Vota e fshehtë e nga Vietnami e zotit Shanaj është votë e fshehtë?

Ilir Keko: Nuk është rasti i parë. Në të kaluarën profesor Shezair Rrokaj ka votuar për postin e kreut të këshillit drejtues me zarf.

Zhupa: Nuk është e njëjta gjë

Ilri Keko:  Kërkesa për të votuar Shanaj ka qenë e kryetarit. Ka kontaktuar sekretarja me të. 
Është votë e fshehtë. se nuk e dinin anëtarët

Zhupa: Nuk ishte votë e fshehtë, e dinte sekretarja e këshillit.

Ilir Keko: Procesi në gjykimin tim për zgjedhjen e drejtorit nuk e pranoj që është në kundërshtim me ligjin. Nuk e diskutoj fare. Votën nuk e dinim ne. E dinte sekretarja e këshillit.

Por çfarë ka ndodhur? Pse jemi në këtë pikë me RTSH?

E gjitha nisi pak javë më parë kur në RTSH ishin dorëzuar të gjithë emrat e kandidatëve. Thuajse 6 muaj nga largimi i tij nga detyra, në garë për të pasuar Alfred Pezën ishin: Harilla Koçi; Jetmir Shpuza; Enrik Mehmeti; Floriana Paskali; Eni Vasili; Ermal Hoxha; Aurora Polo; Kliton Rama; Flamur Buçрарај dhe Laureta Roshi. Por në një mbledhje, u kualifikuan për në raundin e dytë vetëm 2 persona; drejtuesja e komanduar Aurora Polo dhe Jetmir Shpuza. Skualifikimi i bërë pa dëgjuar kandidatët shkaktoi reagime, ku si rrallë herë, PS dhe PD ishin të një mendimi; të dyja palët kërkuan zgjedhje të drejta në të kundërt do të ndërhynin. Përveç politikës, edhe kryetari i Këshillit Drejtues, Leka Bungo e denoncoi vendimin për skualifikimin e kandidatëve dhe kërkoi shkrirjen e të gjithë Këshillit. Por po ashtu, ky proces po ndiqet me vëmendje edhe nga organizmat ndërkombëtarë. Pak ditë më parë OSBE e BE bënë thirrje për transparencë dhe deklaruan se do të ndjekin me vëmendje seancën e sotme në Komisionin e Medias./ZËRI

Poll

MOS HUMB