Aktualitet

1 muaj 'Revolucioni Flamingo'! Mbahet sot protesta e 30-të para Kryeministrisë

Protestuesit kanë deklaruar se tubimet do të vijojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

F.I
1 muaj 'Revolucioni Flamingo'! Mbahet sot protesta e 30-të para
pamje nga protesta

TIRANË-Sot do të mbahet protesta e 30 në Tiranë. Një protestë e cila nisi kundër projektit në Zvërnec dhe gjatë ditëve radhazi në rrugët e kryeqytetit qytetarët shprehën edhe pakënaqësitë politike kundër qeverisë. Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve nga i gjithë vendi, por edhe shqiptarëve të diasporës, që t’i bashkohen tubimit në Tiranë.

Edhe sot grumbullimi i protestuesve do të nisë në orën 19:00 në Sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas marshimi do të vijojë drejt godinës së Kryeministrisë, ku qytetarët do të qëndrojnë për të shprehur kërkesat e tyre.

Në ditën e 23-të të saj, grupi organizator publikoi pesë kërkesa, që përfshijnë dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore, ndryshime kushtetuese përmes referendumit, si dhe anulimin e disa ligjeve dhe paketave të konsideruara problematike nga organizatorët. Protestuesit kanë deklaruar se tubimet do të vijojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Kërkesat që kanë parashruar qytetarët:

1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.

2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.

3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.

4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.

5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës./ZËRI

Poll

MOS HUMB