Aktualitet

Vrasja e Martin Canit, Apeli urdhëron vlerësim të ri psikologjik për Mario Përlleshaj dhe të plagosurin Luis Meçe

Gjykata ka caktuar dy psikologe, të cilat kanë marrë detyra konkrete dhe do të përgatisin raportin pas kontaktit me dy të miturit.

F.I
Vrasja e Martin Canit, Apeli urdhëron vlerësim të ri psikologjik
Luis Meçe, Martin Cani dhe Mario Përlleshi

TIRANË-Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka vendosur të rihapë pjesërisht shqyrtimin gjyqësor të çështjes së vrasjes së të miturit Martin Cani, ngjarje e ndodhur më 18 nëntor 2024. Trupi gjykues ka vlerësuar se është e nevojshme hartimi i një raporti të ri psikologjik për autorin e dyshuar të ngjarjes, Mario Përlleshaj si edhe për të plagosurin Luis Meçe.

Seanca e radhës është caktuar të zhvillohet më 1 korrik, kur do të diskutohet edhe për raportin. Gjykata ka caktuar dy psikologe, të cilat kanë marrë detyra konkrete dhe do të përgatisin raportin pas kontaktit me dy të miturit.

Si ndodhi krimi?

Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit 2024 pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t'u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.

Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Autori gjithashtu mbeti i plagosur në dorë, por kjo nuk e pengoi që pak çaste pas krimit të rëndë autori të pozonte për "Snapchat". Sipas Policisë, fotoja i është bërë nga një shok i papërfshirë në përplasje teksa ishin duke shkuar me taksi për në spital. Pas ngjarjes, pasi mori mjekimin në një spital privat, 14-vjeçari u shoqërua në institucionin për të miturit në Kavajë, në pritje të verdiktit për dënimin e tij./ZËRI

Poll

MOS HUMB