
LOS ANGELES- Mijëra njerëz kanë mbetur të pastrehë që nga fillimi i zjarreve pothuajse një javë më parë në Los Angeles. Numri i viktimave ka shkuar në 24, ndërsa 16 persona raportohen të zhdukur. Dëmet më të mëdha nga zjarret janë shkaktuar në Palisades, një lagje në brigjet e Oqeanit Paqësor.

Deri më tani, autoritetet amerikane kanë arrestuar 2 persona, të cilët akuzohen për zjarrvënie të qëllimshme. Shërbimi Meterologjik i SHBA-së paralajmëron se nesër pritet të jetë dita më e keqe për zjarret, pasi erërat priten të lëvizin me shpejtësi nga 50 deri në 70 mphs.

Guvernatori demokrat i Kalifornisë, Gavin Newsom e quajti këtë fatkeqësia më e madhe natyrore në historinë e SHBA-së.
"Unë mendoj se kostoja e dëmit do të jetë shumë më e madhe sesa përhapja e vatrave të zjarreve”, tha Newsom.
Ndërsa, dhjetra restorante kanë ofruar ushqim falas për ata që janë prekur nga zjarret në Los Angeles, dhe disa prej tyre ende po ndihmojnë reaguesit e parë dhe njerëzit e zhvendosur.

Kur këto zjarre mund të fiken është vetëm një pjesë e ekuacionit, por pyetja që nuk ka një përgjigje është se si do të rimëkëmbet vendi nga dëmet e shkaktuara nga vatrat e zjarrit që janë aktivizuar në qytetin e dytë më të madh të SHBA-së. Përpjekjet për të vlerësuar se kur do të neutralizohen flakët janë supozime dhe kjo varet nga faaktorë të ndryshëm si terreni dhe efektiviteti i zjarrfikësve. Megjithatë, faktorët kryesorë janë të qartë: era dhe shiu, ose mungesa e tyre.

Deri më tani mijëra banesa janë shkrumbuar, mes tyre shtëpitë e VIP-ave, të cilët u detyruan të evakuoheshin. Hollywood ka ndaluar të gjithë aktivitet e tij, si shfaqja e premierave të ndryshme të filmave ose regjistrimet për disa filma të ndryshëm. Gjithashtu dëme të konsiderueshme janë shkaktuar në Hollywood dhe Malibu, ku banesa multimilionë dollarëshe janë shkatërruar.
Ç'dimë deri më tani për zjarret në Kaliforni?
Zjarret, ndër fatkeqësitë natyrore më të rënda që kanë goditur ndonjëherë Kaliforninë, kanë djegur më shumë se 12000 ndërtesa, ndërsa 11 persona kanë humbur jetën. Sherifi i Qarkut të Los Anxhelosit, Robert Luna, u tha gazetarëve se numri i saktë i viktimave nuk mund të përcaktohej derisa ekipet që po kërkonin zonat e shkatërruara të ishin të sigurta për numrin e viktimave. Për ta bërë situatën edhe më keq, një tërmet me magnitudë 3.7 goditi Kaliforninë ditën e djeshme. Tërmeti është regjistruar në zonën e San Franciskos, me epiqendër 8 kilometra në jugperëndim të urës Golden Gate. Ky zjarr konsiderohet si një nga më shkatërruesit që ka goditur ndonjëherë Los Anxhelosin dhe zjarrfikësit kanë luftuar të paktën 5 vatra të veçanta në ditët e fundit, ndërsa dy më të mëdhenjtë, në qarqet Eaton dhe Palisades, janë plotësisht jashtë kontrollit. Mungesa e ujit në të gjithë Los Anxhelosin e ndërlikon më tej situatën.
Por autoritetet ende nuk caktojnë dot shkakun e flakëve. Shkencëtarët vlerësuan se zjarret e shkaktuara nga erërat e forta erdhën në një kohë veçanërisht problematike për Kaliforninë Jugore, sepse nuk kishte pasur reshje të konsiderueshme në muajt e fundit. Hetimet për shkaqet vijojnë, ndërsa meteorologët bëjnë të ditur se kushtet e pafavorshme për përhapjen e zjarrit do të zgjasin deri në fund të javës.
Por një ngjarje e tillë duhet të ketë gjithmonë një fajtor. E mesa duket, sipas qytetarëve bëhet fjalë për kryetaren e Los Angeles-it, Karen Bass. Bass nuk pranoi t'u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve në lidhje me zjarret. Po ashtu, qytetarët e kanë kritikuar sepse ishte jashtë vendit dhe u kthye nga Gana vetëm të mërkurën. Për më tepër që ishte pikërisht ajo që u përpoq të shkurtonte buxhetin e Departamentit të Zjarrfikësve të Los Anxhelosit me rreth 23 milionë dollarë në vitin 2024, por në fund u desh të kënaqej me një shkurtim prej 17.6 milionë dollarësh. Ndryshe nga Bass, Biden anuloi gjithashtu udhëtimin e tij në Itali për shkak të zjarreve. Sipas një vlerësimi nga kompania amerikane e shërbimeve financiare shumëkombëshe 'JP Morgan', humbjet ekonomike nga zjarret me gjasë janë dyfishuar vetëm në 24 orët e fundit dhe tani janë afër 50 miliardë dollarë. Ndërsa sipas vlerësimeve të faqes së internetit Accuweather, dëmet dhe humbjet ekonomike kalojnë aktualisht shumën prej 135 deri në 150 miliardë dollarë./ZËRI