GREQI- Arrestimi në Greqi i Nikolin Palit i kërkuar prej gjashtë vitesh për vrasjen e dyfishtë në Loutraki ka nxjerrë në pah dyshime edhe për përfshirjen e tij në dy krime të rënda të ndodhura në Shqipëri. Ai dyshohet se në vitin 2002 ka vrarë vëllezërit Sejdin dhe Seldjan Vucaj, në fshatin Shtoj i Vjetër të Shkodrës.
Sipas mediave greke, 43-vjeçari dyshohet se ka pranuar para autoriteteve në Greqi përfshirjen në vrasjen e dy vëllezërve ngjarje që daton para largimit të tij nga Shqipëria. Pali u arrestua pas gjashtë vitesh në kërkim për ekzekutimin e ish-partneres dhe një farmacisti në Loutraki, për të cilën ishte dënuar në mungesë me dy burgime të përjetshme.
Ndërkohë pretendimet për dy vrasjet në Shkodër pritet të verifikohen nga autoritetet përkatëse, ndërsa hetimet në Greqi vijojnë për të përcaktuar nëse Pali ka lidhje edhe me ngjarje të tjera kriminale./ZËRI