KOSOVË- Një aksident me pasojë vdekjen e një të riu është regjistruar pasditen e kësaj të premteje në zonën e Prizrenit në Kosovë. Viktima është një 22 vjeçar i cili humbi jetën pasi motoçikleta me të cilën po udhëtonte doli nga rruga dhe përfundoi në një terren të thepisur.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 në fshatin Gjonaj. Rrethanat paraprake tregojnë se i riu ka humbur kontrollin mbi motoçikletën, e cila përfundoi në rrëzë të një mali.
Pas njoftimit në vendngjarje mbërritën shërbimet e emergjencës dhe efektivët e policisë, por 22-vjeçari u gjet pa shenja jete pranë mjetit të dëmtuar.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit Shaqir Bytyqi konfirmoi vdekjen e të riut, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta të aksidentit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Rasti po trajtohet si 'Hetim i vdekjes'./ZËRI