BRUKSEL-Redjan Z, është shqiptari, i cili u ekzekutua me armë zjarri më 12 tetor, vetëm pak orë përpara se të vritej edhe një efektiv policie në kryeqytetin belg. Ngjarja e cila u raportua një ditë më parë nga mediat belge, mbetet ende e pazbardhur.
Sipas mediave belge, Redjan Z. u qëllua me shtatë deri në tetë plumba në orët e vona të pasdites, në rrugën Wiertz. Autorët u larguan menjëherë nga vendngjarja, ndërsa rrethanat e krimit vijojnë të jenë objekt hetimi. Disa orë më vonë, po atë mbrëmje, polici 41-vjeçar Nordine El Talbi u qëllua për vdekje në krye të detyrës, teksa po mbikëqyrte një automjet të parkuar në bulevardin Carton de Wiart. Makina rezultonte e vjedhur më herët gjatë mbrëmjes, nëpërmjet një grabitjeje me dhunë në Tubize.
Një nga pistat që po shqyrtohet nga hetuesit është ajo e një vrasjeje për larje hesapesh në botën e trafikut të narkotikëve. Sipas raportimit, Redjan Z. nuk rezultonte person i njohur për policinë dhe kishte dëshmi penaliteti të pastër. Megjithatë, hetuesit po shqyrtojnë edhe lëvizjet e tij para ekzekutimit. Mësohet se shqiptari kryente udhëtime të shpeshta mes Belgjikës dhe Shqipërisë, çka është një prej elementeve që po verifikohen në kuadër të hetimit.
Ndërkohë, familja e viktimës ka shprehur shqetësim për mungesën e informacionit zyrtar. Avokatja e saj, Ofelia Avagian, deklaroi se familjarët po mësojnë për zhvillimet nga mediat dhe jo nga autoritetet.
“Familja e viktimës po i mëson këto informacione nga mediat dhe jo nga një njoftim zyrtar. Mund ta imagjinoni se sa e rëndë është kjo për ta. Në këtë dosje ka shumë pak konsideratë ndaj viktimave. Fakti që prokuroria nuk dëshiron t'i konfirmojë këto informacione i zhyt klientët e mi edhe më shumë në pasiguri. Nuk dimë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Gjithçka është e paqartë. Kjo është edhe më shqetësuese duke pasur parasysh se në komunikimet e para ishte bërë e ditur se dy ngjarjet nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën. Megjithatë, familja është e kënaqur që hetimet po përparojnë dhe se është bërë e mundur kapja e disa të dyshuarve. Ngjarjet janë veçanërisht tronditëse nëse hetimet konfirmojnë përfshirjen e tyre”, deklaroi për median avokatja Ofelia Avagian.
