Aktualitet

SPAK merr në pyetje sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave

Keri ka dhënë shpjegimet e tij lidhur me procedurat e ndjekura nga Ministria e Financave.

F.I
SPAK merr në pyetje sekretarin e Përgjithshëm të
Gentian Keri

TIRANË-Prokuroria e Posaçme ka marrë në pyetje sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Gentian Keri për çështjen e pagave të gjyqtarëve. Mësohet se Keri është pyetur nga një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ku ka dhënë shpjegimet e tij lidhur me procedurat e ndjekura nga Ministria e Financave. Gjatë dëshmisë, sekretari i Përgjithshëm ka deklaruar se ka vepruar në përputhje me ligjin.

Ai është pyetur gjithashtu lidhur me pretendimet e një drejtoreshe të degës së Thesarit, e cila ka dëshmuar në SPAK se është kërcënuar prej tij. Keri ka sqaruar se nuk e kishte kërcënuar zyrtaren, por i kishte tërhequr vëmendjen për shkak se, sipas tij, ajo nuk kishte zbatuar ligjin.

Çështja ka kaluar në SPAK pas kallëzimit të bërë nga drejtues të 18 gjykatave dhe përfaqësues të organizatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve ndaj ministrit të Financave Petrit Malaj Sekretarit të Përgjithshëm Gentian Këri dhe drejtuesve të degëve të Thesarit. Kallëzuesit pretendojnë se bllokimi i pagave lidhet me moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe kërkojnë hetim për disa vepra penale.

Ministri Petrit Malaj ka deklaruar publikisht se veprimet e Ministrisë së Financave lidhen me zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e fondeve publike.

Në paralel me hetimin e SPAK, Kuvendi ka miratuar formulën e re për pagat e magjistratëve. Përplasja mes institucioneve të drejtësisë dhe Ministrisë së Financave për mënyrën e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbetet kështu në qendër të debatit, ndërsa tashmë SPAK po verifikon edhe zinxhirin administrativ që çoi në bllokimin e pagesave./ZËRI

MOS HUMB