TIRANË- Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë nga "arrest me burg" në "arrest në shtëpi" për Enea Zyferin, i akuzuar për përkrahje të autorit të krimit në çështjen e rrëmbimit dhe vrasjes së Eglant Kocit. Enea Zyferi dyshohet se ka qenë dëshmitar i ngjarjes pasi punonte si kamarier në lokalin në pronësi të 41-vjeçarit, Armand Shakaj. Nga hetimet e Prokurorisë, Zyferi dyshohet se ka ndihmuar Armando Shakajn për të zhdukur gjurmët e krimit pas ngjarjes së rëndë, ndërsa ky i fundit, vijon të jetë në kërkim nga autoritetet si organizatori i rrëmbimit dhe vrasjes së Eglant Kocit. Zyferi ka mohuar të ketë pasur dijeni për rrëmbimin apo për fatin e Koçit, ndërsa ka deklaruar se e kishte parë të futej në lokalin e Shakajt, por nuk dinte nëse ishte larguar më pas. 34-vjeçari Eglant Koçi u zhduk mbrëmjen e 4 qershorit, teksa dyshohet se u mor peng dhe më pas u vra nga Armand Shakaj, 41 vjeç. Trupi i tij i pajetë u gjet disa ditë më vonë, në muajin qershor, ndërsa identifikimi u konfirmua përmes analizave të ADN-së.
./ZËRI