
TIRANË- Që prej publikimit të promos së dokumentarit NARCO TAXI, interesi i shikuesve dhe i lexuesve të ZËRIT ka qenë i lartë, teksa kulmoi mbrëmjen e djeshme me publikimin e tij të plotë. Puna disa mujore e skuadrës së ZËRIT doli në dritë, ku faktohej me zë dhe me figurë fenomeni i taksistëve që shesin kokainë, por edhe i prostitucionit që kryhet në hotele të ndryshme të Tiranës. Pavarësisht presioneve, adresave fake që flasin për spiunë dhe gjoba, ZËRI arriti të provonte që gazetaria e mirë mund të bëhet dhe nga media të reja e larg atyre tradicionale, ndërsa pjesa e shëndoshë e shoqërisë ka sjellë dhjetra mesazhe ku përgëzohet puna e bërë.
Videot e ZËRIT kanë arritur më shumë se 10 mijë shikime në Youtube, 10 mijë të tjera në Instagram, më shumë se 20 mijë shikime në Facebook, ndërkohë që kanë arritur një rekord të ri në TikTok, duke u parë më shumë se 650 mijë herë. Dhe numrat vijnë duke u shtuar...Përtej shifrave, dokumentarin e plotë ndjekësit e ZËRIT mund ta shohin në Youtube, ku përveç fenomenit që ndodh në mënyrë të përsëritur, kokaina që gjendet me një hapje goje të klientëve, janë adresuar dhe detyra të papërmbushura nga ana e institucioneve, që kanë për detyrë kontrollin e taksive. Nëse do të zbatohej një ligj i thjeshtë, për pajisjen e taksive dhe të gjitha mjetet të transportit publik me kamera sigurie, ndoshta taksistët nuk do të drejtonin makinat nën efekt droge, apo ti përdornin ato si tualetet e lokaleve për të konsumuar kokainën.