
TIRANË- Që prej publikimit të promos së dokumentarit NARCO TAXI, interesi i shikuesve dhe i lexuesve të ZËRIT ka qenë i lartë, teksa kulmoi mbrëmjen e djeshme me publikimin e tij të plotë. Puna disa mujore e skuadrës së ZËRIT doli në dritë, ku faktohej me zë dhe me figurë fenomeni i taksistëve që shesin kokainë, por edhe i prostitucionit që kryhet në hotele të ndryshme të Tiranës.
Pavarësisht presioneve, adresave fake që flasin për spiunë dhe gjoba, ZËRI arriti të provonte që gazetaria e mirë mund të bëhet dhe nga media të reja e larg atyre tradicionale, ndërsa pjesa e shëndoshë e shoqërisë ka sjellë dhjetra mesazhe ku përgëzohet puna e bërë.
Dokumentarin e plotë ndjekësit e ZËRIT mund ta shohin në TikTok, ku përveç fenomenit që ndodh në mënyrë të përsëritur, ku kokaina gjendet me një hapje goje të klientëve, janë adresuar dhe detyra të papërmbushura nga ana e institucioneve, që kanë për detyrë kontrollin e taksive. Nëse do të zbatohej një ligj i thjeshtë, për pajisjen e taksive dhe të gjitha mjetet të transportit publik me kamera sigurie, ndoshta taksistët nuk do të drejtonin makinat nën efekt droge, apo ti përdornin ato si tualetet e lokaleve për të konsumuar kokainën.
Videot e ZËRIT kanë arritur më shumë se 10 mijë shikime në Youtube, 10 mijë të tjera në Instagram, më shumë se 20 mijë shikime në Facebook, ndërkohë që kanë arritur një rekord të ri në TikTok, duke u parë më shumë se 650 mijë herë.

Dhe numrat vijnë duke u shtuar...
Përtej shifrave, që ishin të pritshme për një fenomen që trajtohet për herë të parë në media, ZËRI ka adresuar dhe një sërë detyrash për institucionet që do të duhet t’i bënin, pasi në rastin më të thjeshtë neglizhenca e tyre mund të ketë shërbyer për përhapjen e këtij fenomeni, që vret. Pasi nëse e shesin njerëz të zakonshëm apo taksistë, përfundimi është i njëjtë, droga vret! /ZËRI