
TIRANË- Sëmundja e Ruminantëve të Vegjël, një infeksion viral që prek delet, dhitë dhe disa lloje të kafshëve të egra me thundra, ka pushtuar thuajse të gjithë Shqipërinë. Ndryshe njihet edhe si murtaja e bagëtive.
Kjo sëmundje ka vdekshmëri të lartë, nga 90-100%, nëse nuk ndalet, por nuk është një sëmundje zoonotike, pra nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin publik. Përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë mes kafshëve, nëpërmjet sekrecioneve nga hunda dhe sytë, jashtëqitjes dhe ajrit të kontaminuar në ambiente të mbyllura.
Simptomat tek kafshët e prekura përfshijnë temperaturë të lartë, rrjedhje nga hundët dhe sytë, inflamacion në gojë, vështirësi në frymëmarrje, diarre e fortë, dobësi dhe mungesë oreksi.
Rasti i parë u identifikua më 4 qershor 2025, në Domen të Bashkisë Shkodër. Më 5 qershor u raportuan në Vrenjt, Dibër, më 9 qershor në Val, Bulqizë dhe më 11 qershor në Polenë, Skrapar.
Deri më sot rezultojnë se janë të prekura 13 ferma, dhe në total janë identifikuar 11 vatra, 3 vatra në Shkodër, 4 në Tiranë dhe 2 në Elbasan, 1 në Libohovë.
Totali i bagëtive të asgjësuara deri tani ka shkuar në 1800.
Masat e marra deri më tani nga autoritetet janë karantinim 3 km rreth vatrave dhe 10 km kontroll epidemiologjik. Gjithashtu është ndaluar plotësisht lëvizja e bagëtive për tregtim, panair apo kullotje të përbashkët. Lejohet vetëm transporti drejt thertoreve me certifikate veterinare.
39 grupe kontrolli kanë inspektuar 983 ferma me mbi 164,000 bagëti.
Por dëmet që po shkakton ky infeksion duket se nuk kanë në plan të dëmshpërblehen. Edhe pse në raste të mëparshme (si lumpy skin disease) janë dhënë fonde kompensimi, deri më tani nuk ka asnjë plan kompensimi të shpallur deri tani nga Ministria e Bujqësisë.
Në kronika të lajmeve të shumta kemi parë fermerë të përlotur për humbjen e bagëtive, që janë burim i parë i të ardhurave për ta.
Çdo dhi apo dele e eliminuar përfaqëson të ardhura të munguara nga qumështi, mishi, riprodhimi dhe shitjet. Dhitë dhe delet e prekura shpesh janë në moshë riprodhuese – humbja e tyre ndikon ciklin e prodhimit për vitin e ardhshëm. Tufat e përziera (të reja dhe të rritura) janë prekur njësoj, ç’ka dëmton genetikën dhe stabilitetin e tufës.
Fermerët sot jetojnë në pasiguri të vazhdueshme për shkak të frikës së infektimit të pjesës tjetër të tufës, pasi, përveç planit të kompensimit, deri më tani nuk është proklamuar as një fushatë vaksinimi nga autoritetet në Shqipëri.
ZËRI kontaktoi dhe me drejtorin e Autoritetit Kombëtar i Veterinarisë Sulejman Kullolli, i cli u shpreh se gjendja është nën kontroll pasi ka edhe një sensibilizim rekord nga ana e vetë fermerëve për të mos lejuar përhapjen.