
TORINO - “Mund të ishte një masakër”, kështu e përshkruan pronari i lokalit në Torino atë që ndodhi dje, ku një makinë u përplas me restorantin, duke shkatërruar thuajse gjithçka dhe duke plagosur pesë persona. Aksidenti ka ndodhur mëngjesin e së hënës, rreth orës 09:30 minuta, ndërsa vendi i ngjarjes, në udhëkryqin midis via De Maistre dhe via Pisacane ishte plot me njerëz, që po hanin mëngjes në banak apo në tavolina. E gjithë skena u regjistrua nga videot e kamerave të vëzhgimit të lokalit.
Në video duket lokali dhe ka shumë qetësi përreth, por se për pak sekonda, çdo gjë kthehet në një makth. Në video shihet një nga klientët që ngrihet nga tavolina dhe është gati të dalë duke hapur derën, por gjen përballë makinën e bardhë, një Jeep Renegade. Ai nuk kishte kohë as të kuptonte se çfarë po ndodhte, pasi makina u hodh papritur mbi të dhe u fut në lokal duke thyer xhamin.
Për fat të mirë, makina u përplas me murin dhe kjo bëri që shpejtësia të mos jetë kaq e madhe. Nëse nuk do të ishte penguar, automjeti mund të kishte shkaktuar një tragjedi të vërtetë.
Ndihma për 5 të plagosurit është ofruar menjëherë nga pronarët e lokalit dhe të tjerët e pranishëm dhe më pas nga punonjësit e shëndetësisë. Nga 5 të plagosurit, 3 ishin klientë dhe 2 ishin pasagjerë në makinë. Të gjithë u dërguan në spital me ambulancë, por për fat të mirë askush nuk ishte në gjendje të rëndë dhe askush nuk ishte në rrezik për jetën. “Mund të ishte një masakër e vërtetë, të paktën 10 persona mund të kishin vdekur”, tha pronari i lokalit, për të cilin kishte pasoja të mëdha financiare.
Në vendngjarje ndodhen edhe forcat zjarrfikëse dhe policia lokale, të cilët kanë kryer hetimet e para për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes. Sipas një rindërtimi fillestar të aksidentit, makina përfundoi në ambientet e lokalit, pas përplasjes me një makinë tjetër./ZËRI/