Video

Kush është 'TIGRI' i drejtësisë?

Lajmi se në dosjen e SPAK është një zyrtar i lartë i sistemit të drejtësisë, që dyshohet se ndërhyn te kolegët për të mbyllur çështje të caktuara, e ka përhapur më herët dhe Ervin Karamuço.

Redaksia Zëri
Kush është 'TIGRI' i drejtësisë?
Blendi Teta

TIRANË- I dënuari i drejtësisë Blendi Teta ka bërë një pyetje interesante në seancën e sotme që u mbajt në GJKKO, ku përmendi një person që dyshohet se ka marrë 500 mijë euro nga Ervis Martinaj, për të fundosur klanin e vëllezërve Duka, edhe pse identiteti dhe profili i tij u la evaziv.

Duke iu referuar lajmeve që kanë qarkulluar në media, për një personazh të drejtësisë që del në përgjimet e SKY ECC, Teta pyeti prokurorin e çështjes Behar Dibra, nëse kishte dijeni për këtë të dhënë. Vetë Gjykata nxiti Tetën që të jepte më shumë informacion, por ky i fundit nuk dha më shumë detaje, pasi sipas tij prej 4 vitesh ndodhet në burg.

“E nderuar Gjykatë dua që t’i bëj një pyetje prokurorit. A mund të më thoni kush është personi me pseudonimin “Tigri” tek SKY ECC që ka dhënë 500 mijë euro për të fundosur vëllezërit Duka?”, pyeti Teta.

Lajmi se në dosjen e SPAK është një zyrtar i lartë i sistemit të drejtësisë, që dyshohet se ndërhyn te kolegët për të mbyllur çështje të caktuara, e ka përhapur më herët dhe Ervin Karamuço. Pak javë më parë në emisionin "Zonë e Lirë" ai do të shprehej:

“I dyti del po në përgjime “Sky Ecc”. Quhet edhe ai me pseudonimin “Tigri” dhe s’ka lidhje fare me ish-zv.kryeministrin. Ky është funksionar i lartë i pushtetit gjyqësor, dhe troket në çdo derë të prokurorëve dhe gjyqtarëve për të zgjidhur çështje të organizatave kriminale në veri të vendit dhe nuk dihet se kush fshihet pas këtij pseudonimi. Është brenda sistemit. Merr urdhrat dhe troket dhe u thotë gjyqtarëve dhe prokurorëve më zgjidhni këtë për llogari të filan bande. Dhe tani SPAK është në sfidë të madhe dhe nuk po e gjen dot”.

Tashmë kjo çështje është rikthyer sërish, në një prej sallave më të rëndësishme, atë të GJKKO-së, duke rikthyer sfidën për SPAK, a do të arrijë të gjejë se kush është “Tigri” i drejtësisë?!/ZËRI

Poll

MOS HUMB