
TIRANË- Është konfirmuar edhe një tjetër vatër e Ruminantëve të vegjël e njohur ndryshe si murtaja. Këtë herë bëhet fjalë për zonën e Libohovës në Gjirokastër. Shërbimi Veterinar bën me dije se 256 krerë janë vendosur menjëherë në karantinë për të parandaluar përhapjen e infeksionit.
Gjithashtu ka nisur edhe zbatimi i protokolleve të emergjencës, përfshirë dezinfektimin e zonës dhe mbikëqyrjen e tufave të tjera. Një ditë më parë Shërbimi Veterinar bëri me dije se murtaja është aktive në 12 ferma në total në të gjithë vendin. Fillimisht ky infeksion u zbulua në fshatin Domen, njësia administrative Postribë, Shkodër. Më pas u përhap në fshatra të ndryshme në Dibër, Fushë-Krujë, Skrapar e Korçë. Në total janë asgjësuar mbi 1200 krerë.