
TIRANË- Katër vite pasi dëshmoi para policisë për ngjarjen e ndodhur në lokalin “Monopol” në ish-Bllok mbrëmjen e 4 tetorit të vitit 2018, ku mbeti i vrarë Fabjol Gaxha dhe më shumë se 10 muaj pas lajmeve se është zhdukur në Bolivi, Ervin Mata është rikthyer në kryefjalën e mediave këtë mbrëmje. ZËRI, nga burime të afërta pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka mësuar se prokurorët e posaçëm kanë firmosur një urdhër arresti për Matën, që ende nuk është ekzekutuar dot.
Ervin Mata, 35 vjeç njihet si pronari i një prej hoteleve që ndodhet në “Rrugën e Dibrës”, në Tiranë, “VICTORIA”.
I riu nga Tirana doli për herë të parë në skenë pas masakrës së ndodhur në ish-Bllok, ku mbeti i plagosur dhe rivali i tij, Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur prej 9 gushtit të vitit të kaluar. Arratinë për gati 6 muaj nga 4 tetori i vitit 2018 deri më 2 mars të vitit 2019 që u vetëdorëzua para bluve, Mata e argumentonte me faktin se ishte larguar pasi ishte frikësuar.
Deri në atë moment, për publikun e gjerë, Ervin Mata nuk tingëllonte emër i njohur, pavarësisht se këngëtarja Elvana Gjata, kishte nisur të jepte deklaratat e para. Në një intervistë për Ermal Mamaqin, njëkohësisht dhe një prej miqve të saj më të ngushtë, Elvana rrëfeu nga këndi i bardhë i shtëpisë së re se ishte fejuar me një biznesmen nga Tirana në vitin 2017.
Gjithçka ndodhi në një ceremoni intime, ku dyshja zyrtarizuan lidhjen e tyre, atëkohë 2-vjeçare, pasi njiheshin që në vitin 2015.
“E ke parasysh kur ke një gjë të mirë dhe s’do që ta…ke frikë. Unë mendoj që Zoti është treguar shumë i mirë me mua, më ka sjellë një fat shumë të mirë,”- deklaronte këngëtarja.
Por, identiteti i të fejuarit që këngëtarja e ruante me aq fanatizëm, u bë publik në mënyrën më të keqe të mundshme, në masakrën e ish-Bllokut, pas përplasjes me Martinajn, emër që në atë kohë ngjallte frikë kudo.
Shkaku si fillim u tha se ishte një ngacmim që i ishte bërë këngëtares, por shumë shpejt u raportua se Ervin Mata, i njohur dhe me nofkën ‘Boli’, kishte të tjera ‘halle’ me Martinajn. Bëhej fjalë për një ngarkesë me kokainë, për të cilën Mata nuk i ishte përgjigjur Eldi Dizdarit, një prej kokave të 'Kartelit Bello' që sot strehohet në Dubai.
Garant për këtë sasi të madhe droge, është futur Martinaj, me të cilin edhe vetë Dizdari i kishte Matës se duhet të 'sqarohej'.
Prokuroria, e cila ngriti dhe të gjithë dinamikën e ngjarjes në zonën e ish-Bllokut, sqaronte se Mata ka dalë nga ‘Monopoli’ pasditen e 4 tetorit, për t’u takuar me të fejuarën e tij, Elvana Gjata si dhe për të shkëmbyer një çelës shtëpie. Në atë çast, ka kaluar dhe Dizdari, i cili është filmuar nga kamerat e sigurisë që teksa ecte përballë dyqaneve luksoze, ka komunikuar në distancë me Matën, dhe më pas ka vijuar rrugën drejt.
Në këtë moment është futur në lojë pronari i lokalit “Monopoli”, Redi Popesku. Ky i fundit, në dëshminë e dhënë në polici, ka deklaruar se në atë çast, Mata i ka kërkuar që ta lejonte Martinajn t’i bënte një vizitë në biznesin e tij.
Pas aprovimit, në lokal është futur Ervis Martinaj, Santiago Malko (tashmë i ndjerë), Eljon Hato dhe Fabjol Gaxha. Grupi i Martinajt është akomoduar në banak, por ujdia për të cilën Dizdari priste të reja nuk u mbyll siç duhej, pasi konflikti degjeneroi në përdorimin e armëve dhe Gaxha mbeti i vrarë.
Autor i vrasjes së Gaxhës ishte ish-komandoja Merviol Bilo, truprojë e Elvana Gjatës dhe biznesmenit Ervin Mata, i cili edhe sot e kësaj dite, është ende në kërkim për të njëjtën ngjarje. Në kërkim u shpallën dhe Fabiol Alushi e Eldi Dizdari.
Më 30 maj të vitit 2022, një sasi tritoli shpërtheu te hotel Victoria, vetëm 30 minuta pasi në Laç ishte ekzekutuar krahu i djathtë i Ervis Martinajt, Bujar Lika (Hasani) dhe shoku i tij, Paulin Gjergji. Në media qarkulloi shpejt lajmi se bëhej fjalë për një ‘mesazh’ të dërguar nga Martinaj, por asgjë s’është vërtetuar deri më sot.
Përtej çdo raportimi, Ervin Mata nuk ka qenë kurrë objekt i veprimit të ligjit, deri më sot, kur u lëshua urdhër arresti dhe nuk dihet saktësisht se për çfarë akuzohet apo se në cilin krim është përfshirë.
Ai është aluduar dhe për lidhje me killerin-hije, Talo Çela. Ky i fundit, është parë në hotelin e Matës më 5 gusht të vitit 2021, e dhënë që përmes një dokumenti kishte mbërritur dhe në duart e Ardi Veliut, që në atë kohë drejtonte Policinë e Shtetit.
Gazetari Artan Hoxha tha në atë kohë se këto informacione kanë dalë nga komunikimet e brendshme të strukturave të policisë.
“Policia e Shtetit ka disa sisteme që i përdor për komunikimin e vet, për marrjen e të dhënave dhe për kalimin e të dhënave nga një nivel i policisë tek tjetri. Ata kanë thyer sistemin e komunikimit të brendshëm, nga ato të dhëna që unë kam parë deri tani. Po marr rastin e parë. Bëhet fjalë për Talo Çelën. Në e-mailin që është publikuar bëhet fjalë për gushtin e vitit të kaluar. Ai është informacion që i shkon një drejtuesi të lartë të policisë por nuk është 100% i vërtetë. Mbi atë informacion policia bën verifikim. Ai thuhet se ka shkuar në një hotel që ka takuar Ervin Matën, kjo na çon në ngjarje të tjera, tek ngjarja e bllokut. Policia pasi ka marr informacioni duhet ta çojë në instancat e duhura për të bërë verifikimin. Ai thuhet që ka shkuar në hotel Viktoria. Në hotel Viktoria ka kamera sigurie, është një ambjent i kontrolluar mirë dhe futet në ambjentet e sigurta. Këto janë informacione që duhen verifikuar,"- tha Hoxha.
Në muajt në vijim, Ervin Mata u lakua në media, vetëm për hipotezat nëse ishte ndarë apo jo nga këngëtarja me të cilën kishte ndërruar dhe ‘nishanet’, por në fillimin e këtij viti, u aludua për një zhdukje/vetëzhdukje të tij në Bolivi, vend të cilin e vizitonte shpesh, pasi kishte siguruar një linjë kokaine mes tij dhe Evropës.
Një vetëdorëzim i dytë, do të sqaronte gjithçka…